Ish-modelja 50-vjeçare nga Montagnana, Padova, e njohur si një nga gratë e para që denoncoi abuzimet e financierit të Nju Jorkut, Jeffrey Epstein, është gjetur pas disa ditësh kërkim.

Është fjala për Elisabetta Ferretto, ku autoritetet e Interpolit konfirmuan se ajo ndodhet aktualisht në një burg në Florida, pas kërkesës së Ministrisë së Brendshme italiane për ndihmë nga forcat e rendit në SHBA.

Lajmi iu komunikua stacionit të karabinierëve në vendlindjen e saj dhe autoriteteve konsullore italiane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Familja e 50-vjeçares nuk kishte dëgjuar nga ajo që nga 22 prilli, disa ditë pas kthimit nga pushimet e Pashkëve, të cilat i kaloi me të afërmit në Montagnana.

“Është fundi i një makthi”, i tha nëna e saj këshilltares Paola Barbierato, siç raportohet nga “Il Gazzettino”. Megjithatë, detajet mbi akuzat ndaj Ferrettos nuk janë bërë ende publike.

Dy javë më parë, kontaktet e Ferrettos u ndërprenë papritur: telefoni i saj ndaloi së marrë mesazhe dhe profilet në rrjetet sociale u çaktivizuan. Kjo heshtje e papritur tronditi familjarët, të cilët raportuan zhdukjen e saj në Prokurorinë Publike të Rovigos. Raporti u dërgua më pas në Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila aktivizoi kanalet diplomatike me autoritetet amerikane.