Kanë kaluar dy javë që nuk ka asnjë shenjë nga Elisabetta Ferretti. Edhe telefonatat e përditshme nga Nju Jorku, ku ndërtoi jetën, drejtuar prindërve të saj në Veneto, janë ndalur.

“TgCom” shkruan se, heshtja ka alarmuar familjen që raportoi zhdukjen e 50-vjeçares në prokurorinë e Rovigos, në Itali.

Çështja është në duart e Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane, që thuhet se ka kontaktuar autoritetet amerikane. Por, ende nuk asnjë shenjë të ish-modeles e sipërmarrëses së pasurive të paluajtshme, e cila ishte midis grave që patën guximin të denonconin publikisht abuzimin e financierit pedofil, Jeffrey Epstein.

Vizita e fundit në Veneto, pastaj heshtje

Dita e fundit që prindërit dhe miqtë e Elisabetta Ferretti-t mundën ta kontaktonin ishte 22 prilli. Që atëherë, siç raporton “Il Mattino di Padova”, ka pasur heshtje totale. Deri pak ditë para zhdukjes, mesazhet dhe telefonatat me nënën e saj, nga Montagnana (Padova), vazhdonin me ritmin e tyre të zakonshëm.

Në fillim të prillit, Ferretti kishte udhëtuar nga Manhattani në Veneto, për të vizituar prindërit dhe vëllanë e saj. Por, pas kthimit në SHBA, telefoni iu shkëput. Thirrjet ranë në vesh të shurdhër e madje edhe llogaritë e saj mediat sociale u çaktivizuan ose u fshinë.

Ëndrra e pasarelës, mbiemri i ri dhe takimi i saj me Jeffrey Epstein

Elisabetta Ferretti ishte ndër gratë e para që doli nga anonimiteti dhe denoncoi hapur krimet e Jeffrey Epstein-it, i cili më pas kreu vetëvrasje në një burg të Nju Jorkut, në gusht 2019. Shtetasja italiane që atëherë njihej me mbiemrin Tai, i tha “New York Post”-it se qe larguar nga rezidenca luksoze e financierit në Nju Jork, pasi refuzoi kërkesat e tij seksuale.

Ishte zhvendosur nga Italia në Shtetet e Bashkuara në vitin 2001, duke ndjekur ëndrrën për t’u bërë e madhe në botën e modës.

Në vitin 2004, agjenti i saj i propozoi të takonte një burrë “që do t’i ndryshonte jetën”, duke i dhënë mundësinë të fillonte të ecte në sfilatat e markës së njohur “Victoria’s Secret”.

Ky burrë ishte Epstein, mik i besuar dhe këshilltar financiar i Leslie Wexner, pronarit të “Victoria’s Secret”.

Abuzimi dhe arratisja

Sipas dhjetëra denoncimeve, Jeffrey Epstein kishte një mënyrë veprimi të mirëpërcaktuar. Ai premtonte t’iu përmbushte dëshirat më intime, të realizonte ëndrrën e tyre amerikane duke hapur dyert drejt industrisë së modës, vetëm për t’i shfrytëzuar seksualisht të rejat.

Elisabetta “Tai” Ferretti kishte shkuar në shtëpinë e tij, për atë që ajo mendonte se ishte një audicion. E pritur në rezidencën e Nju Jorkut nga Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja britanike e financierit, në burg që nga viti 2021, ajo u çua në zyrën e Epsteinit.

Atje, në vend që t’i shqyrtonte CV-në, u zhvesh lakuriq dhe u shtri në një vend masazhi. Elisabetta Ferretti arriti të arratisej, madje duke i rezistuar presionit dhe nuk u kthye më kurrë.