Ajo ishte një nga gratë më të pasura në Evropë, trashëgimtare e një perandorie miliardëshe dhe pronare e rreth 15% të pasurive të paluajtshme në Monako. Por jeta e saj u mor për vetëm 140 mijë euro. Bëhet fjalë për Hélène Pastor, një nga figurat më të njohura të biznesit në principatën e Monakos, e cila u vra në një atentat që tronditi Evropën dhe që, sipas hetimeve, u organizua nga vetë dhëndri i saj.
Ngjarja ndodhi në maj të vitit 2014. Pastor po largohej nga një spital në Nicë të Francës së bashku me shoferin e saj, Mohamed Darwich. Teksa hipën në makinë, persona të armatosur hapën zjarr nga një distancë shumë e afërt. Shoferi humbi jetën katër ditë më vonë, ndërsa Hélène Pastor ndërroi jetë më 21 maj pas një beteje disa ditore për mbijetesë. Hetuesit analizuan miliona komunikime telefonike dhe gradualisht arritën te autori i vërtetë i planit kriminal. Përfundimi ishte shokues: pas atentatit fshihej Wojciech Janowski, bashkëshorti i vajzës së saj.
Gjatë marrjes në pyetje, Janowski pranoi përfshirjen në organizimin e vrasjes së dyfishtë. Sipas hetimeve, motivi ishte një përzierje e lakmisë, problemeve personale dhe interesave financiare. Ai jetonte prej vitesh falë pasurisë së familjes së bashkëshortes dhe përfitonte shuma të mëdha parash çdo muaj.
Autoritetet zbuluan se ai kishte kontraktuar vrasës me pagesë, duke shpenzuar rreth 140 mijë euro për eliminimin e vjehrrës së tij. Në vitin 2018, gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me burgim të përjetshëm. Historia tronditi opinionin publik jo vetëm për shkak të pasurisë marramendëse të viktimës, por edhe sepse krimi erdhi nga një person që kishte qenë pjesë e familjes për gati tre dekada. Një kujtesë e hidhur se pasuria dhe pushteti nuk janë gjithmonë mbrojtje ndaj tradhtisë.



