Një studim i ri në kozmologji ka rishikuar ndjeshëm parashikimet mbi fundin e universit, duke sugjeruar se ai mund të “shuhet” shumë më shpejt se sa mendohej më parë ndonëse në shkallë kohore ende të paimagjinueshme për njerëzimin. Sipas kërkimit të publikuar në Journal of Cosmology and Astroparticle Physics nga një ekip në Radboud University, universi mund të arrijë fundin e tij rreth 10⁷⁸ vite, një rishikim drastik krahasuar me vlerësimet e mëparshme që flisnin për rreth 10¹¹⁰⁰ vite.
Për krahasim, mosha aktuale e universit vlerësohet rreth 13.8 miliardë vjet (10¹⁰), që do të thotë se edhe versioni i ri i parashikimit e vendos fundin e tij në një të ardhme jashtëzakonisht të largët. Studimi mbështetet në idenë e Hawking radiation, e propozuar fillimisht nga fizikani Stephen Hawking, sipas së cilës vrimat e zeza nuk janë plotësisht “të zeza”, por humbasin ngadalë masë duke emetuar grimca.
Sipas këtij modeli, në shkallë kohore jashtëzakonisht të gjata, edhe objektet më të dendura të universit mund të “avullohen” gradualisht. Studiuesit përfshirë Heino Falcke, Michael Wondrak dhe Walter van Suijlekom – sugjerojnë se ky proces nuk kufizohet vetëm te vrimat e zeza, por mund të ndikojë edhe në objekte të tjera kozmike me fushë gravitacionale.
Një nga gjetjet më të rëndësishme të studimit lidhet me yjet xhuxh të bardhë, mbetjet super të dendura të yjeve si Dielli ynë pasi konsumojnë karburantin e tyre. Sipas modelit, këto objekte mund të zhduken pas rreth 10⁷⁸ vjetësh. Duke qenë se rreth 97% e yjeve në Rrugën e Qumështit pritet të përfundojnë si xhuxhë të bardhë, kjo fazë do të përbënte një pjesë të madhe të “jetëgjatësisë së mbetur” të universit.
Autori kryesor i studimit, Heino Falcke, theksoi se edhe pse parashikimi është rishikuar në mënyrë drastike, ai mbetet jashtë çdo shkalle kohe të imagjinueshme për jetën njerëzore, duke shtuar se “fundit i universit vjen më herët se sa mendohej, por gjithsesi pas një kohe të pafundme për perceptimin tonë”.



