Një tjetër gëzim i madh ka trokitur në familjen e njohur të këngëtarëve të njohur, Mihrije Braha dhe Naim Abazi. Familja e tyre pritet të zgjerohet së shpejti, pasi Tringa, nusja e çiftit të njohur, ka konfirmuar se është shtatzënë.

Lajmin e ka bërë publik vetë Tringa, e cila ka zgjedhur rrjetet sociale për të ndarë me ndjekësit një nga momentet më të bukura të jetës së saj. Në foton e publikuar në “Instagram”, ajo shfaqet me barkun e rrumbullakosur, duke mos lënë më vend për dyshime.

“Vajzë apo djalë?”, ka shkruar ajo krahas fotografisë, duke i lënë ndjekësit të hamendësojnë për gjininë e bebushit.

Më pas ka bërë një postim në “Instastory” ku ka postuar një fotografi ku duart e saj janë të bëra me bojë ngjyrë blu, duke lënë të kuptojë se është në pritje të një djali.

“Zemra ime është plot lumturi dhe mirënjohje! Faleminderit nga zemra të gjithëve për urimet, dashurinë dhe fjalët kaq të bukura. Ma keni bërë këtë moment edhe më të veçantë”, ka shkruar Tringa krahas imazhit në fjalë.

Ky moment vjen pak kohë pasi Tringa dhe partneri i saj, Platori, kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë, pas një fejese disavjeçare. Tashmë, çifti po përgatitet për një nga kapitujt më të rëndësishëm të jetës së tyre: ardhjen në jetë të fëmijës së parë.

E ndërkohë që Tringa dhe Platori presin me padurim të bëhen prindër, emocionet janë të mëdha edhe për Mihrije Brahën dhe Naim Abazin. Për herë të parë, ata do të përjetojnë ndjesinë e të qenit gjyshër.

Mbetet për t’u parë nëse Tringa do ta zbulojë së shpejti gjininë e bebushit, por deri atëherë, pyetja e saj “vajzë apo djalë?” ka nisur të ngjallë kureshtjen e të gjithëve.