Harper Beckham duket se është gati që të ndjekë gjurmët e mamasë së saj, Victoria, duke hedhur hapat e parë në botën e biznesit të bukurisë.
Sipas raportimeve të fundit, vajza e David dhe Victoria Beckham po përgatitet të lançojë markën e saj të kozmetikës, me synimin që produktet të hyjnë fillimisht në tregun amerikan dhe më pas të zgjerohen ndërkombëtarisht.
Marka do të quhet “Harlo by Harper”, ndërsa përfaqësuesit e saj kanë depozituar kërkesa për regjistrimin e emrit si markë tregtare në Shtetet e Bashkuara dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Burime pranë familjes bëjnë të ditur se projekti është një ëndërr e 15-vjeçares prej kohësh dhe se ajo ka qenë e përfshirë personalisht në zhvillimin e tij. Ndërkohë, Victoria Beckham raportohet se po e mbështet vajzën në çdo hap, duke ndarë me të përvojën e fituar nga ndërtimi i markës së saj të modës dhe kozmetikës.
Sipas raportimeve, lançimi i parë i produkteve pritet të nisë gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa objektivi është të krijohet një markë e orientuar kryesisht drejt konsumatorëve të brezave Gen Z dhe Gen Alpha.
Harper, fëmija më i vogël i familjes Beckham, është shfaqur shpesh pranë nënës së saj në evente të modës dhe fushata promovuese, duke treguar prej kohësh interes për botën e bukurisë.
Nëse planet realizohen, ajo do t’i bashkohet një liste gjithnjë e më të gjatë të fëmijëve të personazheve të njohur që po ndërtojnë markat e tyre personale që në moshë të re, duke synuar të krijojnë identitet të pavarur në industrinë e bukurisë.


