Princi George duket se ka hyrë zyrtarisht në atë fazë të adoleshencës kur pothuajse gjithçka që bëjnë prindërit duket e sikletshme. Një përgjigje e tij tepër e shkurtër gjatë Commonwealth Games 2026 bëri që Princi William të ndërhynte menjëherë me një batutë.
George mori pjesë këtë fundjavë në aktivitetin sportiv në Glasgow, Skoci, së bashku me Princeshën Charlotte, Princin Louis dhe prindërit e tyre, Princeshën Kate dhe Princin William.
Gjatë një interviste me prezantuesin televiziv Gethin Jones, Kate tregoi se një çiklist olimpik ishte përpjekur ta bindte atë dhe William-in të provonin çiklizmin në pistë.
“Kujdes se çfarë propozon, se pastaj mund të na shihni vërtet të dy mbi një biçikletë dyshe në velodrom”, tregoi Kate se ishte përgjigjur.
Jones vendosi më pas të pyeste George-in nëse do t’i pëlqente t’i shihte prindërit duke pedaluar së bashku.
“Do të doje të shihje mamin dhe babin mbi një biçikletë dyshe në velodrom më vonë?, e pyeti ai.
Përgjigjja e princit 13-vjeçar ishte e shkurtër dhe shumë e qartë:
“Jo.”
William e kuptoi menjëherë situatën dhe ndërhyri duke i thënë të birit:
“Të turpërojmë mjaftueshëm edhe kështu.”
Pra, William dhe Kate nuk kanë nevojë të hipin fare në një biçikletë dyshe për ta vënë në siklet George-in. Mjafton të jenë prindërit e tij në publik.
George sapo ka mbushur 13 vjeç dhe pritet të nisë shkollën me konvikt në Eton College këtë vjeshtë. Së fundmi është raportuar gjithashtu se ai mund t’u kërkojë prindërve telefonin e tij të parë. Deri tani, William dhe Kate thuhet se nuk i kanë lejuar fëmijët e tyre të kenë telefona personalë.
Megjithatë, duke qenë se George do të kalojë më shumë kohë larg familjes dhe do të nisë një shkollë të re, mendohet se prindërit e tij mund të ndryshojnë qëndrim.
Për momentin, të paktën, George nuk ka nevojë për telefon për t’u ankuar për Princin William dhe Kate Middleton.



