Vajza e boksierit të famshëm Tyson Fury, Venezuela Fury, ka kurorëzuar dashurinë me partnerin e saj, Noah Price, në një ceremoni private në Isle of Man, duke surprizuar publikun për shkak të moshës së saj të re.

Mediat britanike shkruajnë se, 16-vjeçarja u shfaq me një fustan madhështor nusërie me bisht rreth 15 metra, ndërsa 19-vjeçari veshi një kostum klasik elegant. Dasma luksoze përfshinte 18 shoqëruese të nuses, mes tyre edhe familjarë të afërt të familjes Fury.

Ceremonia u zhvillua në Isle of Man, ku martesa lejohet nga mosha 16-vjeçare me miratimin e prindërve. Në dasmë morën pjesë edhe Tyson Fury dhe bashkëshortja e tij Paris Fury, të cilët mbështetën publikisht vajzën e tyre.

Historia e çiftit kishte tërhequr vëmendje edhe më herët, pasi Venezuela u fejua në festën e saj të 16-vjetorit vitin e kaluar. Në atë kohë, nëna e saj kishte reaguar me krenari në rrjetet sociale duke shkruar se ajo dhe Tyson nuk mund të ishin më krenarë për vajzën e tyre.

Ndërkohë, martesa e hershme ka ndezur debate të shumta online, me shumë persona që kanë komentuar moshën e çiftit dhe traditat e komunitetit të tyre.