Një 24-vjeçar në Michigan është dënuar me të paktën 30 vite burg pasi përplasi për vdekje me makinë mikun e tij më të ngushtë, vetëm pak orë pasi ishte martuar. James Shirah u shpall fajtor për vrasje të shkallës së dytë pas ngjarjes së ndodhur më 30 gusht 2024 në qytetin Flint. Sipas autoriteteve, ai goditi me automjet Terry Taylor Jr. pas një debati të ashpër të ndikuar nga alkooli.

Mediat amerikane raportojnë se Shirah dhe bashkëshortja e tij, Savanah Collier, kishin zhvilluar ceremoninë e martesës më herët gjatë ditës, ndërsa festa kishte vijuar në një banesë private. Avokati mbrojtës pretendoi se përplasja nuk kishte qenë e qëllimshme, por prokurorët deklaruan se i riu ishte larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes dhe më pas ishte rikthyer duke goditur viktimën me automjet.

Gjatë seancës gjyqësore, Shirah kërkoi falje për veprimin e tij. “E vetmja gjë që mund të bëj për pjesën tjetër të jetës është të shpreh keqardhjen time. Do të jem gjithmonë i penduar”, deklaroi ai para gjykatës.

Gjykatësi Khary Hanible u shpreh se i riu nuk ishte një kriminel i zakonshëm, por shtoi se ai mbetet “një vrasës”. Sipas vendimit, James Shirah do të ketë të drejtë të kërkojë lirim me kusht pas 30 vitesh burg. Ndërkohë, bashkëshortja e tij pritet të dënohet më vonë gjatë këtij muaji si bashkëpunëtore në ngjarje.