Një incident tronditës ka ndodhur në Sao Paulo, ku një 27-vjeçare sulmoi me thikë një parukier pasi nuk ishte e kënaqur me prerjen e flokëve që ai i kishte bërë.

Një incident tronditës ka ndodhur në Sao Paulo, ku një vajzë sulmoi me thikë parukierin. 27-vjeçarja nuk ishte e kënaqur me prerjen e flokëve që ai i kishte bërë, e si pasojë bëri vendimin ekstrem.

Mediat braziliane shkruajnë se e reja është identifikuar si Lais Gabriela Barbosa da Cunha, e cila u paraqit pa lënë takim në sallonin e bukurisë. Ajo kërkoi një zgjidhje për një trajtim flokësh të kryer disa javë më parë.

Fillimisht, stafi i sallonit kishte njoftuar rojën e ndërtesës për t’a larguar, pasi po shkaktonte tension dhe shqetësim.

Por siç shkruajnë mediat e huaja, situata degradoi shumë shpejt. Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur 27-vjeçarja i afrohet parukierit Eduardo Ferrari dhe e godet në qafë me një thikë, ndërsa ai ishte duke i shërbyer një klienteje tjetër.

Menjëherë kanë ndërhyrë dy persona që ndodheshin në sallon dhe arritën që t’a neutralizonin të renë. Nga ana tjetër, Ferrari, i cili u trondit nga ajo që ndodhi, vrapoi drejt daljes. Fatmirësisht, plaga rezultoi sipërfaqësore dhe jo kërcënuese për jetën.

Nga informacionet e para thuhet se, konflikti kishte nisur më 7 prill, kur Da Cunha kishte kryer një trajtim flokësh në sallon. Fillimisht ajo ishte shfaqur e kënaqur me rezultatin dhe madje kishte publikuar komente pozitive në rrjetet sociale. Por disa ditë më vonë nisi të kërkonte rimbursim, duke kërcënuar parukierin.

27-vjeçarja pretendonte se prerja e flokëve e kishte bërë të dukej si personazhi i famshëm brazilian i librave komikë Cebolinha, i njohur edhe si Jimmy Five.

Stafi i sallonit është shprehur se, 27-vjeçarja kishte kërcënuar se “Eduardo do të vdiste në një mënyrë ose në një tjetër” nëse nuk i ktheheshin paratë. Pas arrestimit, ajo pranoi sulmin dhe deklaroi se kishte vepruar në gjendje të rënduar emocionale.

Nga ana tjetër, Eduardo Ferrari reagoi ashpër ndaj mënyrës se si autoritetet e klasifikuan ngjarjen.

“Tentativa e vrasjes është një krim jashtëzakonisht i rëndë dhe nuk mund të normalizohet”, deklaroi ai, duke shtuar se salloni do të rishikojë masat e sigurisë për mbrojtjen e stafit.

Ndërkohë, Da Cunha është shprehur e penduar për sjelljen e saj, duke deklaruar në media se ndihet e trishtuar për atë që ndodhi dhe se fillimisht kishte shkuar vetëm për të kërkuar shpjegime lidhur me trajtimin e flokëve.