Shivon Zilis, këshilltare prej vitesh e miliarderit Elon Musk dhe nëna e katër prej fëmijëve të tij, ka dëshmuar në gjyqin e bujshëm mes Musk dhe drejtuesve të OpenAI, duke zbuluar detaje të reja mbi marrëdhënien e tyre personale dhe tensionet brenda botës së inteligjencës artificiale.
Procesi gjyqësor po zhvillohet pas Musk ka paditur CEO-n e OpenAI, Sam Altman, dhe presidentin Greg Brockman, duke i akuzuar se kanë shndërruar organizatën, e krijuar fillimisht si jofitimprurëse, në një mjet përfitimi personal.
Zilis tregoi gjatë dëshmisë se marrëdhënia e saj me Elon Musk ka pasur një zhvillim kompleks, duke nisur nga bashkëpunimi profesional në Silicon Valley deri te një lidhje personale që çoi në lindjen e katër fëmijëve të tyre.
Sipas Shivon, gjithçka nisi rreth viti 2020, kur Musk i ofroi të bëhej dhurues i spermës, në një periudhë kur ajo kishte shprehur dëshirën për të qenë nënë.
“Unë ende doja shumë të bëhesha nënë dhe Elon më bëri ofertën rreth asaj kohe dhe unë e pranova,” tha ajo, duke shtuar:
“Ai po i inkurajonte të gjithë përreth tij në atë kohë që të kishin fëmijë dhe kishte vënë re se unë nuk kisha. Ai ofroi të bënte një donacion”.
Zilis deklaroi se në atë kohë nuk ishte në një marrëdhënie romantike me Musk, por e pranoi ofertën pas një bisede mes tyre. Ajo shtoi se më herët kishte pasur një lidhje të shkurtër me të rreth një dekade më parë
Zilis tha se fillimisht ishte rënë dakord që atësia e Musk të mbahej konfidenciale dhe se roli i tij në jetën e fëmijëve të parë nuk ishte menduar si aktiv. Megjithatë, ajo shtoi se sot Musk është i përfshirë në mënyrë të rregullt në jetën e katër fëmijëve të tyre, duke kaluar kohë me ta çdo javë.
Dëshmia e saj u fokusua gjithashtu në rolin që ajo ka pasur brenda OpenAI dhe komunikimet me drejtuesit kryesorë të kompanisë, përfshirë CEO-n Sam Altman dhe presidentin Greg Brockman. Sipas avokatëve të OpenAI, Zilis ka qenë e përfshirë në diskutime të brendshme mbi strukturën e kompanisë edhe pas largimit të Musk nga organizata.
Në gjykatë u prezantuan gjithashtu email-e dhe mesazhe që tregonin për debatet e brendshme mbi transformimin e OpenAI nga një organizatë jofitimprurëse në një strukturë më të hapur ndaj investimeve, një proces që sipas palëve ishte thelbësor për rritjen e kompanisë dhe sigurimin e financimit miliarda dollarësh.
Musk, i cili ka paditur OpenAI duke kërkuar dëmshpërblim të madh financiar dhe ndryshim të strukturës së saj, ka pretenduar se kompania ka devijuar nga misioni fillestar jofitimprurës. Ai gjithashtu është përfshirë në krijimin e kompanisë rivale të inteligjencës artificiale xAI.
Dëshmia e Zilis pritet të jetë një nga elementët kyç të procesit gjyqësor që po shqyrton jo vetëm të ardhmen e OpenAI, por edhe marrëdhëniet e tensionuara mes themeluesve dhe investitorëve të hershëm të saj.



