Një gjykatë në Meksikë ka shpallur fajtorë tre burra meksikanë për vrasjen e dy vëllezërve australianë dhe mikut të tyre amerikan, të cilët u vranë në prill të vitit 2024, ndërsa po bënin kamping në një plazh të izoluar. Ngjarja shkaktoi zemërim të madh në Meksikë dhe reagime ndërkombëtare. Vendimi u shpall të premten në qytetin e Ensenadës, në shtetin e Baja California, në veriperëndim të Meksikës. Sipas një gazetari të agjencisë AFP, i pranishëm në seancë, gjyqtari theksoi se tre të pandehurit i kishin kryer vrasjet me paramendim. Vendimi përfundimtar për masën e dënimit pritet të shpallet më 16 tetor.

Viktimat ishin vëllezërit australianë Jake dhe Colum Robinson, përkatësisht 30 dhe 33 vjeç, si dhe miku i tyre amerikan Carter Rhodes, 30 vjeç. Ata u zhdukën gjatë udhëtimit të tyre në prill 2024, ndërsa po qëndronin në një plazh të izoluar, të njohur për sportin e sërfit. Trupat e tyre u gjetën disa ditë pas zhdukjes, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri në kokë.

Gjatë gjyqit, prokuroria argumentoi se tre turistët u sulmuan në befasi dhe u vranë ndërsa ishin të pambrojtur, pa mundur të bënin rezistencë. Sipas akuzës, njëri prej të pandehurve ishte mburrur pas krimit se kishte marrë sendet personale të viktimave. Sipas dëshmisë së të dashurës së të dyshuarit kryesor, Jesús Gerardo García, i njohur me nofkën “El Kecas”, ai kishte pretenduar se Carter Rhodes i ishte lutur që ta linte të jetonte, duke i thënë se sapo ishte fejuar

Prokuroria ka kërkuar dënimin e secilit prej tre të pandehurve me 210 vite burg. Megjithatë, sipas raportimit, dënimi maksimal i parashikuar nga ligji në shtetin e Baja California është 60 vite burg. Në një proces të veçantë, në nëntor të vitit 2025, e dashura e të dyshuarit kryesor u dënua me 20 vite burg, pasi u shpall fajtore për nxitjen e vjedhjes së sendeve të viktimave, përfshirë gomat e automjeteve të tyre. Ajo ishte 23 vjeçe në kohën e dënimit. Vendimi i gjykatës solli emocione të forta te familjarët e viktimave. Nëna e vëllezërve Robinson nuk mundi t’i mbante lotët gjatë shpalljes së vendimit. Babai i tyre, Martin Robinson, lexoi një deklaratë në emër të të dy familjeve, duke e cilësuar vendimin si një moment të rëndësishëm në përpjekjen e tyre të gjatë dhe të dhimbshme për të siguruar drejtësi për fëmijët e tyre.

Familjarët kanë përshkruar gjithashtu mënyrën çnjerëzore me të cilën, sipas tyre, u trajtuan viktimat në momentet e fundit të jetës. Shteti i Baja California është ndër zonat më të dhunshme të Meksikës dhe përballet me aktivitetin e grupeve të krimit të organizuar, të përfshira kryesisht në trafikun e drogës. Megjithatë, turistët e huaj nuk janë zakonisht objektivi kryesor i karteleve. Rasti i tre të rinjve riktheu vëmendjen te rreziqet me të cilat mund të përballen vizitorët në disa zona të vendit. Në nëntor të vitit 2015, dy sërfistë australianë, Dean Lucas dhe Adam Coleman, u vranë në shtetin e Sinaloas, në veriperëndim të Meksikës, ndërsa trupat e tyre u dogjën.