Gjykata e Assizës në Lucca ka dënuar për vrasje me dashje me 18 vjet burg Cinzia Dal Pino, një sipërmarrëse 65-vjeçare, e cila më 8 shtator 2024 në Viareggio vrau hajdutin që i kishte vjedhur çantën, Noureddine Mezgui, i njohur si Said, një maroken 52-vjeçar, duke e përplasur me makinë. Dal Pino e dëgjoi vendimin në sallën e gjyqit e shoqëruar nga vajza e saj, pa shfaqur reagime. Ajo do ta vuajë dënimin në arrest shtëpie.
Siç shpjeguan avokatët e palës civile, që përfaqësojnë familjen e viktimës, “masa e sigurisë mbetet në fuqi, përveç rastit kur mbrojtja kërkon heqjen ose ndryshimin e saj”. Cinzia Dal Pino ishte tashmë në arrest shtëpie me vendim të gjyqtarit hetues, i cili kishte urdhëruar që ajo të qëndronte në banesën e saj.
Meqenëse avokatët mbrojtës nuk kërkuan asnjëherë një masë tjetër sigurie apo shfuqizimin e saj, masa ekzistuese vazhdon të prodhojë efektet e saj. Kështu, qëndrimi në shtëpi kalon automatikisht nga një masë e përkohshme në mënyrën e vuajtjes së dënimit.
Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për Cinzia Dal Pino. Sipas akuzës, më 8 shtator 2024 në Viareggio, pasi iu vodh çanta, ajo e përplasi disa herë me automjetin e saj hajdutin për ta rimarrë atë. Gruaja futi tri herë marshin mbrapa dhe e goditi po aq herë me SUV-in e saj, duke i shkaktuar vdekjen. Avokatët mbrojtës të Dal Pino-s argumentuan gjatë procesit se bëhej fjalë për tejkalim të kufijve të vetëmbrojtjes së ligjshme nga pakujdesia, por gjykata e shpalli fajtore për vrasje me dashje.



