Shënime të papublikuara më parë nga ditari personal i Lindsay Clancy-t janë paraqitur gjatë gjyqit të saj në Massachusetts, duke zbuluar gjendjen e rënduar psikologjike të gruas përpara vdekjes së tre fëmijëve të saj në janar të vitit 2023. Clancy, një ish-infermiere 35-vjeçare, po gjykohet për vrasjen e vajzës pesëvjeçare Cora, djalit trevjeçar Dawson dhe foshnjës tetëmuajshe Callan. Pas ngjarjes, ajo tentoi t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga kati i dytë i banesës dhe mbeti e paralizuar.

Në një prej shënimeve të ditarit, të datuar më 18 nëntor 2022, ajo shkruante se ishte e dëshpëruar për të pasur një pushim mendor nga kujdesi i vazhdueshëm për familjen. Në shënime të tjera, Clancy shkruante se ndihej sikur po mbytej çdo ditë dhe kërkonte ndihmë për t’u përmirësuar. Ajo përshkruante probleme të rënda me pagjumësinë, ankthin, depresionin, mungesën e oreksit dhe ndjesinë e shkëputjes emocionale nga foshnja e saj.

Ditari, i cili përmbante shënime nga tetori 2022 deri më 18 janar 2023, u sekuestrua nga policia në banesën e familjes në Duxbury. Mbrojtja pretendon se gruaja vuante nga psikoza pas lindjes, ishte diagnostikuar gabimisht dhe kishte marrë shumë medikamente. Prokuroria, nga ana tjetër, argumenton se vrasjet ishin të planifikuara dhe se Clancy ishte e vetëdijshme për veprimet e saj.

Gjatë procesit, mjekët deklaruan se një person që përjeton psikozë mund të ketë momente qartësie, të komunikojë dhe të kryejë veprime të planifikuara. Gjykata dëgjoi gjithashtu dëshmi të rënda nga mjekët dhe punonjësit e emergjencës që u përpoqën të shpëtonin fëmijët. Foshnja Callan u mbajt për disa ditë në aparatura, por mjekët konfirmuan vdekjen cerebrale dhe ndërprenë mbështetjen jetësore më 27 janar 2023. Procesi gjyqësor vazhdon, ndërsa juria pritet të vendosë nëse Clancy veproi për shkak të një çrregullimi të rëndë psikik pas lindjes apo ishte e vetëdijshme për veprimet e saj.