Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare kanë reaguar për protestat në Tiranë, duke kërkuar respektimin e të drejtave të studentëve dhe ndalimin e dhunës ndaj qytetarëve. Rey Manaj dhe Myrto Uzuni kanë shprehur publikisht mbështetjen për studentët protestues, duke dënuar dhunën e raportuar gjatë përplasjeve me policinë.
“Studentët janë fëmijët tanë, janë e ardhmja e kombit dhe meritojnë të dëgjohen. Askush nuk duhet të ushtrojë dhunë ndaj tyre, aq më pak ata që kanë për detyrë të mbrojnë qytetarët”, ka deklaruar Manaj. Futbollisti ka bërë gjithashtu thirrje për protesta paqësore dhe shmangien e dëmtimit të pronës publike e private.
Ndërkohë, Myrto Uzuni ka theksuar se uniforma e policisë duhet të përfaqësojë përgjegjësi dhe respekt ndaj qytetarëve. “Dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë është e papranueshme. Qytetarët meritojnë të dëgjohen dhe të ndihen të mbrojtur”, është shprehur Uzuni. Ai ka nënvizuar se veprimet e individëve të caktuar nuk duhet të cenojnë imazhin e të gjithë Policisë së Shtetit.



