Aktori i njohur Russell Crowe, i cili ka luajtur në filma ikonikë si Gladiator, A Beautiful Mind, Robin Hood dhe shumë të tjerë, po vjen me një projekt të ri filmik. Crowe luan rolin kryesor në filmin e ri “The Get Out”, derisa personazhi i tij është shqiptar dhe quhet Manco Kapak. Siç raportohet, filmi aksion-thriller është drejtuar nga Derrick Borte, ndërsa në kast luajnë gjithashtu Luke Evans, Teresa Palmer, Nina Dobrev dhe Aaron Paul, i njohur për rolin e tij ikonik si Jesse Pinkman në serialin e famshëm Breaking Bad.
“Unë jam Manco Kapak dhe vij nga Shqipëria”, prezantohet personazhi i Crowe në trailerin e filmit The Get Out. Filmi ndjek historinë e protagonistit Manco (Russell Crowe), i cili është në prag të lënies pas të kaluarës së tij të rrezikshme për të dalë në pension së bashku me të dashurën e tij (Teresa Palmer). Por kur grabitës të maskuar (Nina Dobrev, Aaron Paul) e plaçkitin, ai përfshihet në një konflikt të rrezikshëm me kartele të pamëshirshme.
Në këtë situatë, një i ardhur misterioz (Luke Evans) shfaqet me interes për të blerë biznesin e tij. Ndërsa rreziku afrohet nga të gjitha anët, ai duhet të përballet me një rrjet vdekjeprurës mashtrimesh, pushteti dhe mbijetese, ku arratisja mund të mos jetë më një opsion.
Sipas raportimeve, projekti pritet të dalë në kinema në muajin gusht. Mes komenteve për filmin ka pasur edhe mendime të ndryshme, ku një përdorues ka sugjeruar se do të donte që Russell Crowe ta portretizonte në të ardhmen figurën historike të Skënderbeut.



