Jason Caperna, një nga personazhet e reality show-t “The Valley”, është dërguar me urgjencë në spital pas një dëmtimi të rëndë që pësoi gjatë xhirimeve të emisionit. Ngjarja ndodhi gjatë një loje basketbolli mes Jason dhe disa prej kolegëve të tij, ku 42-vjeçari rrëzohet në tokë pasi tentoi të realizonte një kosh. Pak çaste më parë ai kishte pranuar se kishte ndjerë dhimbje në gju, por kishte vendosur të vazhdonte lojën.

Pas rrëzimit, Jason shfaqet duke mbajtur gjurin dhe duke u ankuar për dhimbje të forta. Ai u tha të pranishmëve se gjuri i kishte “dalë nga vendi”, ndërsa produksioni ndërhyri menjëherë dhe thirri ambulancën. Pamjet tregojnë momentin kur ekipet e urgjencës mjekësore e transportojnë me barrelë drejt ambulancës. Më vonë, vetë Jason tregoi se kishte dëgjuar një kërcitje të fortë në momentin e dëmtimit dhe se kapaku i gjurit dukej jashtë pozicionit normal.

Bashkëshortja e tij, Janet Caperna, deklaroi më pas se e kishte paralajmëruar të mos “bënte show”, pasi prej vitesh kishte probleme me gjunjët dhe kishte hequr dorë nga basketbolli. Jason u shpreh gjithashtu i shqetësuar për faktin se dëmtimi mund ta pengojë të kalojë kohë aktive me djalin e tij të vogël.