Një zonë që sot konsiderohet ndër më të thatat në planet ka qenë dikur e mbuluar nga një det i ngrohtë tropikal dhe e mbushur me jetë. Këtë tregojnë fosilet e zbuluara së fundmi nën shkretëtirën e Egjiptit, të cilat datojnë më shumë se 70 milionë vite më parë. Studiuesit kanë gjetur 14 dhëmbë të fosilizuar, që u përkisnin pesë llojeve tashmë të zhdukur të peshkaqenëve. Zbulimi u bë në pllajën Abu-Tartur, në Shkretëtirën Perëndimore të Egjiptit, rreth 640 kilometra në jugperëndim të Kajros.
Dhëmbët kishin forma të ndryshme, nga të hollë dhe të mprehtë deri tek ekzemplarë të gjerë e të dhëmbëzuar. Sipas shkencëtarëve, kjo tregon se peshkaqenët ushqeheshin me lloje të ndryshme presh dhe kishin role të veçanta në zinxhirin ushqimor. Së bashku me gjurmët e peshqve të vegjël, jovertebrorëve dhe zvarranikëve grabitqarë detarë, fosilet krijojnë pamjen e një ekosistemi të pasur detar që ekzistonte aty ku sot shtrihet vetëm shkretëtira.
Peshkaqenët kanë jetuar gjatë periudhës së Kretakut, kur Toka ishte shumë më e nxehtë dhe më e lagësht. Pjesë të territorit të sotëm të Egjiptit ndodheshin nën ujërat e ngrohta të detit Tethys. Dy prej specieve të identifikuara nuk ishin dokumentuar më parë në Egjipt. Por zbulimi më interesant lidhet me Scapanorhynchus cf. raphiodon, i dallueshëm për dhëmbët e gjatë dhe të hollë.
Sipas studiuesve, ky mund të jetë rasti i parë i kësaj specieje i zbuluar ndonjëherë në Afrikë, si dhe ekzemplari më i ri i njohur në të dhënat fosile. Gjetjet tregojnë se miliona vite më parë kjo pjesë e Egjiptit ishte një mjedis krejtësisht tjetër; një det tropikal produktiv, ku bashkëjetonin peshq, peshkaqenë dhe grabitqarë të mëdhenj detarë.



