Së fundmi është mbajtur një seancë gjyqësore në Los Angeles, ku u lexua mesazhi i fundit Celeste Rivas Hernandez, e cila sipas aktakuzës, dyshohet se u vra në prill të vitit të kaluar nga David Anthony Burke.
Sipas prokurorisë, 14-vjeçarja mbërriti me një Uber në banesën e Burke në Hollywood. Mesazhi i fundit që ajo dërgoi ishte: “Jam pothuajse aty, hape derën nëse je në shtëpi”.
Mediat e huaja shkruajnë se, pas këtij mesazhi, telefoni i saj u fik. Prokurorët pretendojnë se Burke e vrau me thikë sapo ajo hyri në banesë, më pas e copëtoi trupin dhe u përpoq të fshihte krimin duke dërguar mesazhe nga telefoni i viktimës, me qëllim që të krijonte përshtypjen se ajo ishte ende gjallë.
Sipas autoriteteve, trupi i vajzës u gjet rreth pesë muaj më vonë në automjetin e Burke.
Ky i fundit përballet me akuza për vrasje, abuzim seksual ndaj një të miture nën moshën 14 vjeç dhe copëtim të trupit.
Nga ana tjetër, mbrojtja argumenton se nuk ka dëshmitarë apo pamje filmike që provojnë se 14-vjeçarja hyri në banesën e tij ose se Burke ndodhej aty në momentin e ngjarjes.
Avokatët e tij kanë deklaruar gjithashtu se prindërit e të dyve ishin në dijeni të marrëdhënies së tyre dhe se vajza më herët kishte pretenduar se ishte 16 vjeçe.
Procesi gjyqësor vijon, ndërsa gjykata pritet të shqyrtojë prova dhe dëshmi të tjera përpara se të marrë një vendim përfundimtar.



