Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e ish-financuesit amerikan Jeffrey Epstein, i cili dyshohet se kishte shkruar një shënim vetëvrasjeje përpara se të ndërronte jetë në burg.

Sipas “The New York Times”, letra në fjalë ka mbetur e fshehtë për gati shtatë vite, e depozituar në një gjykatë në Nju Jork. Një ish-shok qelie ka deklaruar se e kishte gjetur shënimin në korrik të vitit 2019, pasi Epstein ishte gjetur pa ndjenja me një copë pëlhure rreth qafës. Ai i mbijetoi atij incidenti, por disa javë më vonë u gjet i vdekur në qelinë e tij.

Sipas dëshmisë së shokut të qelisë, në shënim shkruhej: “Është koha të themi lamtumirë”.

Raportimet tregojnë se dokumenti ishte vulosur nga një gjykatës federal si pjesë e procedurave penale ndaj vetë shokut të qelisë, duke bërë që hetuesit që po shqyrtonin vdekjen e Epsteinit të mos kishin akses në këtë material, i cili mund të kishte shërbyer si provë e rëndësishme.

“The New York Times” ka paraqitur tashmë një kërkesë në gjykatë për deklasifikimin e këtij shënimi.

Që prej dhjetorit 2025, Departamenti i Drejtësisë i SHBA ka publikuar miliona faqe dokumentesh që lidhen me çështjen Epstein. Megjithatë, sipas gazetës amerikane, shënimi nuk figuron në asnjë prej materialeve të publikuara.

Një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë është shprehur se institucioni nuk ka qenë asnjëherë në dijeni të ekzistencës së këtij dokumenti.

Zbulimi i mundshëm i këtij shënimi pritet të rihapë diskutimet mbi rrethanat e vdekjes së Epsteinit, një çështje që vazhdon të ngjallë debat dhe dyshime në opinionin publik.