Identiteti misterioz i alpinistit të panjohur të malit Everest, i njohur si “Çizmet e Gjelbra”, është zbuluar më në fund pas tre dekadash. Alpinisti ishte shndërruar në një pikë referimi të zymtë përgjatë ngjitjes në Everest, pasi trupi i tij mbeti i ngrirë në akull që prej vdekjes në malin më të lartë në botë. I njohur thjesht si “Çizmet e Gjelbra”, për shkak të këpucëve të tij të gjelbra të ndezura për alpinizëm, trupi i burrit u ruajt për dekada nga temperaturat ekstreme të ulëta, me këmbët që ende dilnin nga bora dhe akulli. Falë analizave dhe krahasimit të ADN-së, ai tashmë është identifikuar si alpinisti indian 47-vjeçar, Dorje Morup.

Për rreth 30 vjet, shumë alpinistë besonin se trupi i përkiste një tjetër alpinisti indian, 28-vjeçarit Tsewang Paljor. Policia Kufitare Indo-Tibetiane (ITBP) konfirmoi identitetin e Dorje Morup përpara nisjes së një operacioni për të rikuperuar eshtrat e tij nga e ashtuquajtura “Zona e Vdekjes”, pjesa më e rrezikshme e malit. Para më shumë se 30 vitesh, trupi i tij mbeti i ngrirë në një lartësi prej mbi 8 mijë metrash, ku ndodhet edhe sot. Autoritetet po planifikojnë të angazhojnë një ekip të specializuar për shpëtim në lartësi të mëdha, për të ndërmarrë operacionin e rrezikshëm të rikuperimit nga ana tibetiane e malit më vonë gjatë kësaj vere. Dorje Morup ishte pjesë e një ekspedite prej gjashtë anëtarësh të Policisë Kufitare Indo-Tibetiane (ITBP), e cila më 10 maj 1996 tentoi të ngjiste malin Everest nga faqja veriore.

Megjithatë, kur ekipi u përfshi nga një stuhi e fuqishme bore pranë majës, tre prej alpinistëve u detyruan të ktheheshin mbrapsht. Dorje vendosi të vazhdonte ngjitjen drejt majës së Everestit së bashku me Tsewang Paljor, 28 vjeç, dhe Tsewang Samanla. Tre alpinistët humbën jetën në mal, ndërsa tetë persona të tjerë vdiqën gjatë katastrofës së Everestit në vitin 1996. Sipas të dhënave të ekspeditës, rreth orës 15:45 me orën e Nepalit, ata kontaktuan me radio drejtuesin e ekipit dhe raportuan se kishin arritur majën. Megjithatë, rrëfimet e mëvonshme sugjerojnë se dukshmëria shumë e dobët mund ta ketë bërë të pamundur konfirmimin e pozicionit të tyre të saktë. Ekziston mundësia që ata të kenë mbetur rreth 130 metra poshtë majës.

Pak më vonë, kushtet atmosferike u përkeqësuan në mënyrë dramatike. Erëra të fuqishme goditën malin, temperaturat ranë ndjeshëm dhe dukshmëria u reduktua pothuajse në zero. Anëtarët e ekspeditës raportuan se panë dy drita ballore që lëviznin mbi zonën e njohur si “Second Step”, në një lartësi rreth 8.535 metra mbi nivelin e detit. Ishte hera e fundit që tre alpinistët u panë të gjallë, pasi ata nuk u kthyen më në Kampin e Lartë. Rikuperimi i trupave në lartësi të tilla konsiderohet jashtëzakonisht i rrezikshëm. Për këtë arsye, trupi i Dorje Morup mbeti aty ku ai humbi jetën, ndërsa bora dhe akulli e ruajtën për dekada.

I strehuar në një zgavër të vogël shkëmbore, trupi i tij qëndron i mbledhur anash, sikur në çastet e fundit të ketë kërkuar mbrojtje nga kushtet ekstreme të malit. Ai ndodhet në të ashtuquajturën “Zona e Vdekjes”, pjesa e Everestit mbi 8.000 metra lartësi, ku mungesa e oksigjenit ushtron një presion të jashtëzakonshëm mbi organizmin dhe mbijetesa mund të kthehet në një betejë minutë pas minute.

Për vite me radhë, trupi i tij mbeti në vendin ku u nda nga jeta dhe u shndërrua në një pikë orientimi për alpinistët që synonin majën e Everestit. Pasi identiteti i tij mbeti i panjohur për më shumë se tri dekada, alpinistët nisën ta quanin “Çizmet e Gjelbra”, ndërsa vendin ku ndodhej trupi e pagëzuan “Shpella e Çizmeve të Gjelbra”. Këpucët e tij karakteristike të gjelbra e bënë trupin lehtësisht të dallueshëm dhe një nga simbolet më tronditëse të Everestit. Qindra alpinistë që ndjekin itinerarin verilindor kalojnë pranë tij. Me shtimin e ekspeditave në vitet pasuese, “Çizmet e Gjelbra” u kthyen jo vetëm në një kujtesë të zymtë të rrezikut të malit, por edhe në një pikë praktike orientimi. Alpinistët e dinin se, sapo arrinin te “Shpella e Çizmeve të Gjelbra”, ndodheshin në rreth 8.500 metra lartësi dhe përballë sfidave të fundit përpara majës së Everestit.