Ndryshimet në zërin e një personi mund të jenë një sinjal i hershëm i rënies së aftësive njohëse dhe demencës, sipas një studimi të ri që përfshiu më shumë se 833 mijë pacientë. Studiuesit analizuan persona të moshës 50 vjeç e lart dhe krahasuan shëndetin e trurit të atyre që ishin diagnostikuar me çrregullime të zërit me personat pa një diagnozë të tillë. Problemet e analizuara përfshinin ndryshime në tonalitetin, qartësinë dhe volumin e zërit.

Rezultatet treguan një rritje të rrezikut për rënie të aftësive njohëse brenda një viti nga diagnostikimi me një çrregullim të zërit. Sipas studimit, të publikuar në Journal of Voice, personat që kishin çrregullime të zërit, por jo humbje të dëgjimit, kishin një rrezik 58% më të lartë për dëmtime njohëse dhe demencë.

Rreziku ishte edhe më i lartë te personat që kishin njëkohësisht probleme me zërin dhe humbje të dëgjimit, duke rezultuar më shumë se dyfish. “Çrregullimet e zërit mund të jenë një shenjë më e hershme dhe më e fortë e rënies së aftësive njohëse sesa vetëm humbja e dëgjimit”, tha studiuesi Robert Sataloff, drejtues në Drexel University College of Medicine.

“Lidhjen më të fortë me demencën e gjetëm te pacientët që përjetonin njëkohësisht çrregullime të zërit dhe humbje të dëgjimit”, shtoi ai. Vetëm humbja e dëgjimit u shoqërua me një rritje prej 27% të rrezikut për rënie të aftësive njohëse.