Orët e para të ditës së hënë të datës 27 Mars 2023, Top Channel u godit nga një sulm terrorist, i pandodhur kurrë më parë në 33 vite ndërtim të shtetit të së drejtës dhe fjalës së lirë.

Pasojë e këtij sulmi, ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës në momentin e ngjarjes.

Sot, 1 vit më vonë, ky sulm terrorist është ende i pazbardhur nga uniformat blu me autorët ende të lirë.

Për detaje të reja lidhur me hetimin, në studion e Top Story-t folën eksperti i kriminialistikës, Ervin Karamuço, si dhe kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.

“Prokurorët kanë qenë bashkë me ne, janë informuar menjëherë. Për shkak të rëndësisë prezenca e Prokurorisë ka qenë në vendngjarje.

Janë kryer me dhjetëra analiza nga të gjitha sektorët e policisë. Fjala dështim është fjalë e madhe për ta emërtuar këtë aksion. Vijon një grup i dedikuar hetimor për këtë çështje.

Në fillim patëm përparime themelore dhe janë ndjekur një sërë informacionesh të rëndësishme të mbështetura në prova, por deri tani nuk është bërë e mundur që të dokumentohet ligjërisht vepra kriminale.

Duhet një minimum provash për të akuzuar një person, dhe ne këtë nuk e kemi akoma. Kjo çështje nuk është në kompetenën e SPAK, por e Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë.

Nuk them që kjo është kryer nga një autor, se ne e kemi gjithë dinamikën e ngjarjes, se kemi sekuestruar 2 armë në makinën e djegur të gjetur në Kavajë. Ne duhet të kemi persona të cilët t`i marrim si persona nën hetim dhe aktualisht nuk i kemi këto, por kjo nuk do të thotë që nuk kemi asgjë.

Në çdo hetim ka gjëra që duhet t`i kishim bërë më mirë, difekti i policisë së Shtetit në këtë hetim qëndron tek fakti se informacione të caktuara mund të ishin ndjekur më shumë, pikërisht momenti kur makina që kanë përdorur autorët është vjedhur në zonën e Tales. Kjo makinë ka qenë e një personi nga Republika e Kosovës, të cilin ne kemi folur dhe e kemi pyetur,” tha Tonin Vocaj.

Ndërsa eksperti Karamuço tregoi se cilat kanë qenë arsyet që vonuan policinë në hetime.

“Ende nuk po na funksionojnë kamerat inteligjente për t’i pikasur në kohë. Këto janë krime që ngjallin panik. Është tipik vepër penale e aktit terrorist. Aktin terrorist ta bën dhe një individ i vetëm. Për fat të mirë nuk është djegur plotësisht makina dhe ka gjurmë, që më shumë janë biologjike.

Në një vit të paktën duhej të kishte dalë një rezultat, di që janë bërë shumë punë, por ka pasur disa vonesa. E para se u angazhuan më shumë në pistat që ose roja kishte konflikt në shtëpinë e tij, ose në lidhje me konflikte që zhvilloheshin nga grupe jashtë Big Brother.

Kjo harxhon energji se këto ngjarje po nuk u kapën orët e parak, është shumë e vështirë. Por është ngritur kurba ende. Duhet thënë që kemi ende në fuqi 100 mijë euro në fuqi për këdo që ka informacion. Kjo është ngjarje shumë e rëndë sepse flitet për një institucion”, tha ai.