Një ngjarje e pazakontë ndodhi sot në burgun e sigurisë së lartë, IEVP Peqin, ku fillimisht u raportua për një “kryengritje” të të dënuarve dhe të shtëna ndaj gardistëve.
Protagonistë në ngjarje ishin 3 persona, ndaj të cilëve qëndron dënimi me burgim të përjetshëm, Sokol Mjacaj, Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi.
Sokol Mjacaj, nën kërcënimin e armës është futur në kuzhinë dhe po mbante peng punonjësit. Megjithatë, pak më vonë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se bëhej fjalë për një konflikt mes tre të dënuarve. Ndërsa sqaroi se s’ka asnjë gardian, staf policor dhe civil të lenduar.
Drejtoria e Burgjeve raportoi se dy nga të burgosurit ishin plagosur, me njërin prej tyre, Arben Lleshi i cili ndërroi jetë momente më vonë.
Mësohet se vrasja ka ndodhur me armë zjarri tip pistoletë që dyshohet se është futur me dron në ambientet e burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin.
Një telefonatë nga një i burgosur që ka kërkuar të lidhet me gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, ka hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen, duke sqaruar në detaj gjithçka çfarë ndodhi.
“Mori fund pengmarrja, e pamë me sytë tanë që e nxorën nga atje. Nuk e dimë se me çfarë mënyre e ka marrë armën. Se thonë ca që ia mori gardianëve, nuk kanë gardianët armët këtu.
Personat e prekur nga kjo ngjarje nuk kishin shoqëri me Mjaçajn. Ai ishte në sektorin 2 kati 2, kur zbriti për ajrim mori armën me vete dhe i shkoi te dritarja dhe i qëlloi.
Me 100% është një ngjarje e porositur, me pagesë. Se erdhi para 40 ditësh tek sektori 1 në kat të 2, ka disa muaj që kërkon info dhe donte të vinte në sektorin ku ishim ne. Në këtë sektor ose ka pasur një mbështetje, se nuk kërkohet transferimi në një sektor tjetër, ose kam një shok, ose kam ndonjë punë si këto.
I thoja drejtorit mos e sillni këtu atë, se ne këtu i dimë gjërat, se ky lloj grupi njerzish jemi,” tregoi i burgosuri.
Si ndodhi ngjarja
Teksa të dënuarit ndodheshin në zonën e ajrimit, Sokol Mjacaj ka qëllaur me një armë dy të burgosur të tjerë, Indrit Shaqen dhe Arben Lleshin.
Teksa i pari u qëllua në këmbë, Lleshi ndërroi jetë menjëherë në vendngjarje. Pas kësaj, i dënuari me burgim të përjetshëm ka kërcënuar gardianët, e madje edhe punonjësit e kuzhinës së burgut.
Me ndërhyrjen e forcave RENEA dhe grupeve të tjera të polcisë, sulmi e tij u izolua, por mister mbeten arsyet që e çuan në këtë akt.
Edhe pse burgu i Peqinit është një institucion izolimi i sigurisë së lartë, duket se Mjacaj e ka pasur shumë të lehtë për të marrë armën
Kush është Sokol Mjacaj (Agresori)
Sokol Mjaçaj është dënuar nga gjykata si autor i vrasjes së dy turistëve çekë, Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe me qëllim grabitjen e mjetit të tyre fuoristradë. Ngjarje kjo e ndodhur në korrik të vitit 2015, në zonën e Dukagjinit, në Shkodër.
Më datë 3 korrik 2015, Sokol Mjaçaj me banim në fshatin Lotaj, ka vendosur të dalë në rrugë për të grabitur ndonjë makinë me turistë në zonën e Dukagjinit. Me vete ka marrë automatikun dhe dy karikatorë që i mbante në shtëpi, i ka futur në një çantë sportive.
Aty ka kaluar mjeti tip Nissan Patrol, ngjyrë gri, me targë Çeke CZ 4P89798, me udhëtarë viktimat Michal Svatos dhe Anna Kosinova. Mjacaj i ka përshëndetur shtetasit në fjalë, e më pas iu ka kërkuar (duke komunikuar me shenja) që ta merrnin në makinë por, drejtuesi i mjetit i ka bërë shenjë se nuk kishte vend dhe nuk e ka marrë, duke tentuar të vazhdojë lëvizjen me makinë. Po ai ka mundur të hyjë më forcë.
Kjo e ka nervozuar viktimën Michal Svatos, i cili e ka zbritur nga mjeti të pandehurin. Në këtë moment, i pandehuri Sokol Mjaçaj ka nxjerrë automatikun nga çanta dhe ka qëlluar në ajër disa herë, duke e detyruar viktimën ta ndalojë mjetin. Pasi ka hyrë në mjet, i pandehuri është ulur pas pasagjerit dhe shoferit, duke mbajtur automatikun e mbushur, me fishekë në fole, në drejtim të dy viktimave. Po ashtu, në momentin që ka hipur në mjet, iu ka marrë këtyre shtetasve aparatet celularë, në mënyrë që ata mos kishin mundësi të lajmëronin rreth këtij fakti, duke planifikuar që t’i grabiste sapo të afrohej në zonën e quajtur “Ura e Shtrenjtë”, pasi nga kjo zonë mund të largohej më lehtësisht në drejtime të ndryshme. Rreth mbrëmjes, në momentin që mjeti është afruar afër zonës së quajtur “Ura e Shtrenjtë”, Michal Svatos ka bërë disa manovrime me mjet.
Për këtë arsye, Mjacaj, duke menduar se viktima Michal Svatos, me këto veprime ka dashur t’i marrë automatikun, e ka qëlluar këtë shtetas dy herë me armë zjarri e më pas ka qëlluar një herë pasagjeren Anna Kosinova, duke iu shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas vrasjes së dy shtetasve në fjalë, i pandehuri ka dalë nga xhami i dritares së mjetit, i cili ishte përmbysur në njërën anë, në mes të rrugës, duke lënë brenda në mjet automatikun që i kishte rënë nga dora në momentin e përmbysjes së mjetit dhe ka lëvizur në këmbë në drejtim të kundërt me të.
Kush është Arben Lleshi (Viktima)
Arben Lleshi, nga fshati Laç-Bruçi i Matit, është autori i vrasjes së Agim Hoxhës, në 10 prill 2012. Sipas lajmit publikuar nga mediat britanike, Hoxha u vra në një apartament në qytetin anglez të Southempton por trupi i tij u dogj dhe u gjet në një makinë “Mercedes Benz”.
Për të njëjtën ngjarje, burg po bën edhe vëllai i Lleshit, Afrim Lleshi, i cili ka pranuar para gjykatës se ka bashkëpunuar në shfarosjen e trupit të viktimës. Dy vëllezërit Leshi merreshin me drogë, që kur ishin adoleshentë.
Arben Lleshi u ekstradua nga Londra, në maj të vitit 2016, pasi ishte dënuar nga drejtësia angleze me 32 vite burg.
Kush është Indrit Shaqja (I plagosuri)
Indrit Shaqja mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në burgun e Peqinit. Ai rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen makabre të dy kunatave në qytetin e Durrësit me qëllim grabitjen e tyre.
Përveç tij, me burg të përjetshëm u dënuan edhe Vilson Elmazi dhe Artur Kaçanolli. Indrit Shaqja i ekstraduar nga Spanja ka marrë përsipër krimin dhe ka thënë se Vilson Elmazi dhe nipi i të moshuarave Artur Kacanoli nuk kanë marrë pjesë në vrasjen e tyre. Më 2 shtator të vitit 2014, tre të dënuarit torturuan e vranë dy kunatat, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç. Shaqja, nga Shijaku, Velson Elmazi nga Elbasani, kushëriri i tij dhe nipi i dy viktimave, Artur Kacanolli kanë marrë dënimin maksimal në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.
Me një vit burg gjykata dënoi edhe bashkëshorten e Indrit Shaqjes, Valbonën, për fshehje të krimit. Për asnjë moment mbrojtësi i Artur Kacanollit nipit të të moshuarave, nuk pranoi akuzat e bëra nga prokuroria, duke sjellë në vëmendje prova e procesverbale që sipas tij nipi i të moshuarave nuk ishte në dijeni për krimin e kryer nga Indrit Shaqja dhe i pandehuri Elmazi. “Më datë 02.09.2014 rreth orës 06:20 është konstatuar fakti i vdekjes në banesën e tyre të shtetaseve Gjenovefa Vava dhe Elsa Vava. Vdekja e tyre ishte shkaktuar nga dhuna fizike e ushtruar mbi to e kombinuar kjo me asfiksinë mekanike.
Vdekja e tyre kishte ardhur si pasojë e veprimeve të kryera me qëllim vjedhjen e florinjve, parave dhe sendeve të tjera me vlerë të ndodhura në banesën e viktimave. Autorë të kësaj ngjarjeje janë evidentuar të pandehurit Indrit Shaqja, Velson Elmazi, Artur Kaçanolli, të cilët kanë bashkëpunuar secili në rolet e tyre për kryerjen e veprës penale.