
Qeveria ka përgatitur një ligj të ri për Arbitrazhin, duke e hedhur në konsultim përpara dërgimit për votim në Parlament. Nuk dihen arsyet e ‘urgjencës’ së prezantimit të këtij drafti në këto ditë vere e pushimi, por qeveria në relacion e nismës thekson se duhet medoemos të mbyllen vakumet që ekzistojnë këtë sektor.
Nga ana tjetër, ky ndryshim bëhet pikërisht kur në media është përfolur mbi humbjen në Gjykatën Arbitrazhit nga ana e qeverisë me biznesmenin Italian Francesco Becchetti, i cili ka fituar çështjen dhe pret të marrë 110 milionë euro nga qeveria shqiptare.
Në ligjin e ri, qeveria bën të ditur se do të mbushë boshllëkun e vakumit ligjor por edhe të bëjë përafrimin me normat e Bashkimit Europian dhe synon t’i zgjidhë mosmarrëveshjet me firmat nëpërmjet Abritrazhit të brendshëm e atij ndërkombëtar.
Qeveria pranon gabimin?
“Zbatimi i gabuar që ka ndodhur në praktikë i dispozitave të konventave ndërkombëtare për arbitrazhin, duke pasur mungesë të rregullimit të brendshëm”. Ky është argumenti i qeverisë në lidhjem e këtë nismë, që duket se cilësohet si “mea culpa” për mënyrën se si është vepruar me përballjen në arenën ndërkombëtare në Gjykatën e Arbitrazhit me firmat e ndryshme, pa përmendur raste konkrete.
Në relacionin e siguruar nga Gazeta “Shqip” theksohet se në këto kushte është e rëndësishme ndërhyrja e qeverisë, për të korrigjuar këtë moment juridik, duke ndërmarrë një nismë ligjore, e cila të jetë e plotë, shteruese dhe e përshtatshme për situatën.
“Për shkak të influencës së faktorëve ekonomike-shoqërore të tranzicionit në vëndin tonë, shoqëria shqiptare, por kryesisht edhe bizneset karakterizohen nga një mungesë e theksuar e besimit në sistemin e drejtësisë të gjykatave shqiptare. Dhe si pasojë kanë qenë të pakta rastet në të cilat shoqëria shqiptare apo dhe bizneset t’i drejtoheshin arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarëveshjeve në kushtet që sistemi i drejtësisë sigurohet me vështirësi nga shteti”, thuhet në këtë relacion.

Ndërkaq, kur shikon relacionin, por edhe projektligjin, bëhet e qartë se ndryshimet janë të mëdha, e këtu natyrisht për të ndaluar që shteti të humbë para nga çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar.
Në draftin e ri bëhet e qartë, se arbitrazhi me ndonjë subjekt ndërkombëtar bëhet vetëm për të shmangur proceset gjyqësore, të cilat afatet i kanë më të gjata se në arbitrazh.
Ndërkaq, theksohet në projekt se arbitrazhi bëhet vetëm pas kontratës ndërmjet palëve, por edhe nëse mbi çështjen nuk ka ndonjë vendim gjyqësor.
Ne relacionin e përgatitur nga Ministria e Dretësisë, që ka edhe firmën e Etilda Gjonajt, bëhet e qartë se synimi i hartimit të një ligjit të ri është ulja e shpenzimeve qeveritare nga arbitrazhi.
“Një nga argumentet më të rëndësishëm që influencon në promovimin e arbitrazhit si një nga format alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhet me faktin se vendimet që sigurohen nëpërmjet tij janë vendime më të shpejta dhe kanë një kosto më të ulët në krahasim me proceset gjyqësore. Mos efikasiteti dhe zvarritja që i karakterizon gjykatat shtetërore ka motivuar palët që mosmarrëveshjet e tyre t’ia besojnë për zgjidhje arbitrazhit”, theksohet në relacion.
Drafti vendos kufij dhe rregulla për kompanitë apo entet që do të hedhin në gjysh administrativ ndërkombëtar qeverinë shqiptare.
E kjo bëhet e qartë edhe në relacionin që u jepet në “Ndërmarrja e nismës për hartimin e projektligjit “Për Arbitrazhin” u jep mundësi palëve që për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që kanë lindur ose që mund të lindin në të ardhmen të mos i drejtohen vetëm gjykatës si mënyra e vetme për zgjidhjen e tyre, por të kenë mundësi për të pasur dhe metoda të tjera alternative për zgjidhjen e konflikteve. Arsyet se përse palët mund të zgjedhin arbitrazhin janë nga më të ndryshmet. Së pari, arbitrazhi i jep mundësi palëve që të zgjedhin persona me njohuri të specializuara për të gjykuar mosmarrëveshjet e tyre. Së dyti, arbitrat zgjidhen për një mosmarrëveshje të veçantë, dhe me zgjidhjen e saj ata shpërndahen. Së treti, arbitrazhi nuk i nënshtrohet apelimit përsa i përket themelit të konfliktit”.
Kjo frazë flet edhe për mosmarrëveshjet që kanë lindur, pra jo thjesht ata që mund të lindin në të ardhmen dhe vjen ndërmend nëse mund të prekë çështjen e Becchettit, ky draft.
Ajo që bind më shumë, është një tjetër pjesë e relacionin të hartuar nga ministria e Drejtësisë. “Në rastin kur palët kanë zgjedhur arbitrazhin si mënyrë për zgjidhjen e konflikteve midis tyre, vendimi i dhënë nga arbitrat do të përbëjë një vendim final dhe detyrues. Por në zbatim të nenit 5 të Konventës së Nju Jorkut, pavarësisht se konflikti është zgjidhur përmes marrëveshjes së arbitrazhit, janë gjykatat shtetërore ato të cilat kanë kompetencë të përcaktojë se në arbitrazh është ndjekur procedura e duhur, duke ushtruar autoritetin e tyre për të anuluar një vendim arbitrazhi apo për të refuzuar njohjen dhe zbatimin e vendimeve të arbitrazhit”.
Por sërish dilema për atë që: A do të jetë çështja më e diskutuar pjesë e këtij projektligji, kjo mbetet pezull? Kjo ngaqë ka një dispozitë kalimtare që sikur nuk e njeh të drejtën e parashkrimit.
Ja çthotë dispozita kalimtare: “Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për procedurat e arbitrazhit që kanë filluar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur palët kanë rënë shprehimisht dakord ndryshe”.
Dykuptueshmëria në gjuhën e marrëdhënieve administrative duket se do vijojë të shoqërojë këtë çështje, që sipas gjasave nuk do t’i mbyllë edhe drafti i ri, i cili megjithatë do të prodhojë sipas të gjitha gjasave debate të mëdha. “Miratimi i këtij projektligji do të rrisë investimet kryesisht të huaja në vend dhe do të krijojë një klimë pozitive për investitorët e cila passjell më shumë të hyra në buxhet, e për rrjedhojë i mundësojnë qeverisë të kryejë më shumë investime publike”, thuhet në relacionin e qeverisë.
Dispozita e plotë kalimtare
Neni 64
Dispozita kalimtare
1. Vlefshmëria e marrëveshjeve të arbitrazhit të nënshkruara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji përcaktohet sipas legjislacionit të zbatueshëm në momentin e nënshkrimit të tyre.
2. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për procedurat e arbitrazhit që kanë filluar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, me përjashtim të rasteve kur palët kanë rënë shprehimisht dakord ndryshe.
3. Institucionet e arbitrazhit, që kanë ekzistuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruara të përshtatin organizimin dhe funksionimin e tyre, sipas dispozitave të këtij ligji, brenda 1 viti pas hyrjes së tij në fuqi. Institucionet e arbitrazhit, të cilat nuk përshtaten me dispozitat e këtij ligji,vlerësohen të prishura dhe çregjistrohen nga Regjistri.
4. Procedurat që janë në pritje përpara gjykatave në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vazhdojnë sipas legjislacionit të zbatueshëm përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



