Teksa kanë kaluar pak më shumë se 3 javë  nga inaugurimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, një kërcënim i bërë së fundmi në një prej ligjëratave të Presidentit rus Vladimir Putin në vendin e tij, duket se mund të vendosë në shënjestër edhe qendrën kryesore për forcat ajrore shqiptare.

Lideri rus, ka paralajmëruar se avionët luftarakë F-16 të përdorur nga Ukraina kundër Rusisë do të goditen nga forcat e Moskës edhe nëse ata do të gjenden në bazat ajrore të NATO-s. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve Tass.

“Nëse këta avionë përdoren nga aeroportet e vendeve të treta, për ne ata do të jenë një objektiv legjitim pavarësisht se ku ndodhen,” është shprehur Putin në një takim me pilotë të Forcave Ajrore ruse në rajonin perëndimor Tver.

Presidenti rus më pas paralajmëroi se Rusia do të mbajë parasysh faktin se avionët F-16 do të transportojnë armë bërthamore.

“Duhet t`i kemi parasysh të gjitha, megjithatë furnizimi i mundshëm i Ukrainës me F-16 nuk do ta ndryshojë situatën në fushën e betejës, pasi Rusia do t`i shkatërrojë ata siç po bën tashmë me tanket perëndimore,” vijoi fjalimin e tij Putin.

Nga ana tjetër, presidenti rus, i ka konsideruar “të pakuptimta” akuzat se Rusia po planifikon të pushtojë Europën.

“Sa i përket akuzave se ne po planifikojmë të pushtojmë Europën pas Ukrainës, ky është një absurditet i madh që synon vetëm të frikësojë popullsinë për t`i bërë ata të paguajnë më shumë para. Kjo narrativë zhvillohet në një kontekst krize ekonomike dhe prej standarteve të përkeqësuara të jetesës atje. Duan  të justifikohen dhe në këtë mënyrë frikësojnë popujt e tyre me një kërcënim të mundshëm rus, ndërsa përpiqen të zgjerojnë diktaturën e tyre në të gjithë botën,” tha lideri i sapo rizgjedhur.

Kujtojmë se dy avionë ushtarakë italianë “Eurofighter”, të nisur nga baza e Aviano-s në Itali, ishin të parët që u ulën në pistën e bazës së re taktike dhe operacionale të Nato-s, në Kuçovë, e cila në kohën e komunizmit kishte strehuar dhjetra avionë të prodhimit rus e më pas kinez, për t’iu kundërvënë perëndimit. Sot, kjo bazë pas dy vite punimesh, është në dispozicion të Aleancës.

Përfaqësuesë të Nato-s dhe vendeve anëtare vlerësuan rolin e Shqipërisë në gjirin e Aleancës, ndërsa theksuan rëndësinë e kësaj organizate, veçanërisht në kontekstin e konflikteve aktuale që kërcënojnë dhe vetë Europën.