Vettingu ka tre vjet që ka nisur dhe deri tani shumë gjyqtarë dhe prokurorë kanë mundur të kalojnë “provimin”, por ka edhe të tjerë që përfundimisht janë “dorëzuar”. Shumë nuk kanë mundur të kalojnë vettingun e të tjerë për të shpëtuar çfarë të munden kanë dhënë dorëheqjen, përpara se t’i nënshtrohen procesit të verifikimit.


Por, ata që kanë kaluar vettingun do të “mbulohen” në para. Paga e një gjyqtari dhe prokurori që ka kaluar vettingun shkon deri në 3 mijë dollarë në muaj. Sipas nenit 12 të ligjit “Për statusin e magjistratëve”, paga bazë e prokurorit dhe e gjyqtarit që kalon vettingun shkon sa 90 deri në 106 për qind të pagës së drejtorit të drejtorisë së përgjithshme në Kryeministri.


Ata do të marrin edhe një shtesë për vjetërsi në ushtrimin e funksionit që llogaritet në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim. Gjithashtu, prokurorët dhe gjyqtarët e deleguar në një rreth tjetër, në largësi më shumë sesa 45 km, do të përfitojnë shtesë edhe 60 për qind të pagës. Për ushtrimin e funksionit të kryetarit të gjykatës ose të prokurorisë, magjistrati përfiton 10 për qind shtesë page mbi pagën bruto fillestare.


Po ashtu, çdo vit, prokurorët apo gjyqtarët të cilët në vitin paraardhës kalendarik, në mënyrë të veçantë, kanë pasur vlerësimin më të lartë etik dhe profesional, marrin një shpërblim të barabartë me një pagë referuese bazë. Por, nuk mbaron me kaq. Gjyqtarët dhe prokurorët do të paguhen për orët e punës jashtë orarit. Gjithashtu, ata do të përfitojnë edhe shtesa për vjetërsi në punë.


Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar vettingun do të mund të marrin kredi të financuar nga shtetit, për të blerë shtëpi të reja në qendrat e qyteteve ku ushtrojnë detyrën.


Konkretisht, gjyqtari apo prokurori ka të drejtë që një herë gjatë ushtrimit të funksionit të tij, pasi të ketë ushtruar jo më pak se tre vjet detyrën, të përfitojë kredi për shtëpinë të financuar nga shteti, në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti prej 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku magjistrati ushtron detyrën.


Ndërkaq, për çdo anëtar të familjes, i cili jeton në të njëjtën banesë me magjistratin, masa referuese e sipërfaqes së banesës shtohet me 10 m2 për person. Banesa e blerë nëpërmjet kredisë lihet kolateral në bankë për sigurimin e kredisë.


Por, magjistrati ka të drejtë ta shesë pronën gjatë kohës së amortizimit të kredisë dhe të blejë një banesë tjetër. Në rastet kur shuma e përfituar nga shitja është me e madhe se rritja e vlerës së tregut të pronës, atëherë diferenca do t’i kthehet shtetit. Magjistrati nuk ka të drejtë ta japë me qira banesën e përfituar me kredi.


Të gjithë magjistratët, pasi kalojnë vettingun, përfitojnë mbrojtje të veçantë nga shteti, përfshirë edhe familjet e tyre. “Gjatë ushtrimit të funksionit ose, për shkak të tij, magjistrati dhe familja e tij gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre.


Magjistrati që nuk e ushtron funksionin ose që ka dalë në pension e gëzon këtë mbrojtje, në rast se e kërkon, si dhe në rast cenimi për shkak të ushtrimit të mëparshëm të funksionit. Në rast se jeta, shëndeti dhe pasuria e magjistratit ose familja e tij janë në rrezik, shteti ofron mbrojtje të veçantë, si dhe mbrojtje fizike, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, pas konsultimit me Këshillat.


Dëmet e shkaktuara për jetën, shëndetin ose pasurinë e magjistratit ose familjes së tij/saj, shpërblehen nga shteti, në rast se këto dëme shkaktohen gjatë ushtrimit të funksionit të magjistratit ose për shkak të tij”, parashikohet në ligjin për statusin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.


Ndërsa ata që u shkarkuan, ose më saktë u përjashtuan nga sistemi i Drejtësisë do të gëzojnë pasurinë, sepse ende nuk ka një vendim për pasurinë e tyre. E njëjta gjë ndodh edhe me të dorëhequrit para hyrjes në procesin e vettingut.



©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.