Durrësi u zgjua sot me një lajm tronditës aspak të zakontë, ku një 19-vjeçare u gjet fajtore për vrasjen dhe groposjen e të atit në oborrin e banesës së tyre në fshatin Shën Vlash.

10 ditë më parë, më konkretisht më 13 shkurt, ishin familjarët ata që kishin denoncuar zhdukjen e Pëllumb Metës.

Policia u vu menjëherë në punë për gjetjen e 50-vjeçarit, por pas hetimeve të thelluara, trupi i kryefamiljarit u gjet i groposur nën tokë.

Më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi H. M., 25 vjeç, banues në fshatin Shënavlash Durrës, ka kallëzuar në Polici se ishte larguar nga banesa, babai i tij, shtetasi P. M., 50 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës, dhe se kishin humbur kontaktet me të.

Pas këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet dhe më datë 17.02.2024, bënë të mundur gjetjen e automjetit të shtetasit P. M., të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia, shkruhet në njoftimin e policisë.

Vajza, e dyshuara kryesore

Detajet e reja nga policia njoftuan se krimi makabër kishte ndodhur pikërisht nga vajza 19-vjeçare e Pëllumb Metës, Hygerta Meta.

Vajza e tij 19-vjeçare Hygerta Meta dyshohet se e ka qëlluar brenda shtëpisë me armë zjarri, e më pas e ka mbështjellë me qese plastike dhe e ka groposur.

Në dëshminë e saj para uniformave blu, e reja ka deklaruar se e vrau të atin, pasi ai donte ta fejonte kundër dëshirës së saj. Ajo shprehet se donte të vazhdonte studimet dhe të ndiqte ëndrrat e saj, por babai nuk e lejonte.

“Doja të ndiqja ëndrrat e mia, të vazhdoja shkollën. Dita më e lumtur e jetës time ka qenë kur fitova shkollën. Ai donte të më fejonte me dike që nuk ishte në nivelin tim. Me një djalë nga fshati, emigrant në Itali. Por unë nuk doja dhe e vrava”, mësohet të jetë shprehur e reja para policisë.

Bashkëpunëtorë në krim?

Policia i ka marrë në pyetje të gjithë familjarët dhe po vijojnë hetimet, pasi ka dyshime se 19-vjeçarja mund të ketë pasur bashkëpunëtorë për të vrarë të atin. Krimi i rëndë u zbulua sot nga policia, pas kërkimeve 10 ditore të Pëllumb Metës, i cili ishte denoncuar nga familjarët i zhdukur. Hygerta Meta, 19-vjeç, ka dëshmuar se e ka qëlluar të atij me pistoletën e tij.

Ajo ka deklaruar para hetuesve se babai i saj, Pëllumb Meta e mbante armën pasi punonte si roje nate.

Kur është bërë zhvarrosja e trupit të 50-vjeçarit, nga kqyrja paraprake është vërejtur se e kishin lidhur me litar para se ta varrosnin.

Dyshimet janë se në krim është e përfshirë e gjithë familja, pra përveç 19-vjeçares, edhe nëna dhe dy vëllezërit.

Nga provat e gjetura në banesë, policia dyshon se në banesë mund të ketë ndodhur një përleshjes mes kryefamiljarit të ndjerë dhe pjesëtarëve të tjerë. Nga ana tjetër, arma e krimit ishte pa leje, edhe pse më herët vajza pretendoi se përdorej nga vetë viktima, i cili punonte si roje.

Dëshmitë e të afërmëve

Në lidhje me ngjarjen, krushku i familjes Meta ka deklaruar se 19-vjeçarja nuk mund të vriste dot një pulë dhe jo më babanë e saj, duke e cilësuar atë “një ëngjell”.

“Kam mbetur i shokuar për ngjarjen. Ishin një familje model. Ai punonte si roje te pazari i makinave. Hygerta është një engjëll, nuk mund ta vriste dot babain e saj. Ajo nuk vriste dot një pulë, jo më babain e saj”, tha ai.

Fqinjët e familjes  deklarojnë se 50-vjeçari i ndjerë edhe vajzën e madhe e kishte martuar pa dëshirën e saj.  Ata kanë treguar se viktima disa vite më parë kishte martuar me zor edhe vajzën e tij të madhe, në Derven të Krujës.

Pëllumb Meta dyshohet se ka pasur të njëjtin plan edhe për 19-vjeçaren Hygerta, studente në Fakultetin e Ekonomisë, të cilën donte ta fejonte pa dëshirë me emigrantin në Itali. Por 19-vjeçarja e ka refuzuar duke mos pranuar, pasi sipas dëshmisë së saj, dëshironte të vazhdonte studimet dhe të ndiqte ëndrrat e saj.

Ndërkohë një fqinj ka deklaruar se: “Nuk kemi dëgjuar asnjë të shtëna me armë zjarri. Dyshojmë se mund të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në krim”, duke shtuar se dijeni për ngjarjen ka marrë vetëm 3 ditë pas zhdukjes së viktimës.

Gjithashtu edhe gruaja e viktimës ka dëshmuar para hetuesve se 50-vjeçari ka qenë autoritar dhe të gjitha vendimet i merrte pa pyetur askënd.

Një fqinj i familjes ka deklaruar se gropa në të cilën ishte futur trupi i 50-vjeçarit në oborrin e shtëpisë ishte rreth 1 metër e gjysmë e thellë. Ai shton se nuk ka mudnësi që të mos e kenë ditur nëna dhe vëllezërit e vajzës për vrasjen.

“S’ka pasur as zhurma, as ngatërresa familjare. Nuk është dëgjuar as zhurmë arme asgjë. Pas tre ditësh u mor vesh që ai u zhduk. Ka qenë shumë familjar i rregullt. Vajza më e urtë nona nuk e bënte. Vajzën e ka pasur në prag fejese më duket në Ishëm, me shkesi. Zona e ktyre e kanë traditën me shkesi, nuk e lejojnë që ta gjejë burrin vetë.

Vajza 19-vjeçe, s’ma merr mendja ta ketë bërë e vetme, se nuk është ndonjë trup kushedi. Si mund ta groposësh në oborr dhe të mos kenë dijeni familjarët. Gjithë ajo gropë një metër e gjysmë që më thotë i vëllai mua… Vëllai i vetë është i habitur, ‘si ndodhi kështu kjo punë mor burrë më tha’. Me burrin pija kafe përditë. Por me familjen nuk para kemi shkuar, sepse ka qenë edhe vetë fanatike e zonja. I biri ka bërë denoncim pas tre ditësh.

Më tha mua ‘më ka humbur babai’, ‘po shko denonco’ i thashë unë. Dyshimet janë te familja, askund tjetër. Të vrasësh babain dhe mos ta dijë nëna dhe fëmijët, nuk ka mundësi, sepse ai është varrosur brenda oborrit të shtëpisë. Gjendja ekonomike e tij ka qenë shumë e mirë. Nuk ka nga dikush tjetër këtë gjë. Tokat i ka të babës së vetë, i ka me ligjin 7501”, tha komshiu i Pëllumb Metës.

Hygerta kthehet në vendin e krimit: Nuk pendohem për vrasjen

Hetimi nuk do ndalet vetëm me dëshminë e Hygerta Metës, pasi policia po kërkon të zbulojë të tjera detaje deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Për këtë Hygerta është rikthyer në vendin e krimit, në banesën e saj në fshatin Shënavlash të Durrësit.

19-vjeçarja shoqërohet nga policia dhe mësohet se po tregon para hetuesve dinamikën e vrasjes. Hygerta Meta mban veshur një xhup të zi, ndërsa në fytyrë ka maskë anti-COVID. Ajo ka treguar para hetuesve në dëshminë e saj se e kreu vrasjen e të atit, Pëllumb Meta, pasi ky i fundit donte ta fejonte me zor.

Ajo ka rrëfyer para hetuesve se nuk pendohet për krimin, pasi prej vitesh babai “i ka nxirrë jetën”, asaj dhe gjithë fmailjes, sipas saj, ai ishte autoritar, çdo vendim e merrte vetë pa pyetur askënd hde madje, ajo shprehet se janë torturuar.

“Jam e lumtur që e kreva unë këtë punë dhe nuk pendohem që kam vrarë tim atë. Ai na ka torturuar dhe i ka nxirë jeten nënës time. Unë jam fëmija i vogël i familjes. Motra është më e madhja, është e martuar, jane 2 vëllezërit dhe pastaj unë.

Mami dhe ne nuk kemi folur kurrë në familje. Për gjithçka fliste dhe vendoste babai. Ai nuk na pyeste kurrë çfare dëshironim. Kur mori vendimin për martesën time aty erdhi fundi. Nuk dëgjoi çfare unë doja. Mu mblodh një urrejtje për një kohë të gjatë. Ditën e ngjarjes nuk u konfliktuam fare. Mora armën që babi përdorte kur shkonte në punë si roje dhe e qëllova brenda kasolles së bagëtive. Pas krimit e kam mbështjellë me një çarçaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e hodha buzë detit.”, mësohet të ketë thënë vajza.