Rritja e temperaturave gjatë verës nuk ndikon vetëm në lodhjen e përgjithshme të trupit, por mund të përkeqësojë edhe simptomat e migrenës, sipas disa studimeve të fundit. Migrena, e cila prek rreth 12 deri në 15% të popullsisë, është një gjendje neurologjike që shkon përtej një dhimbjeje të zakonshme koke dhe shpesh mund të jetë dobësuese për personat që e përjetojnë.

Ekspertët theksojnë se migrena shoqërohet me simptoma të ndryshme, përfshirë ndjeshmëri ndaj dritës dhe zërit, marramendje, nervozizëm, si dhe fenomene të quajtura “aura”, ku pacientët mund të shohin forma apo drita të pazakonta përpara fillimit të krizës.

Hulumtime të fundit sugjerojnë se nxehtësia dhe kushtet atmosferike mund të ndikojnë në rritjen e frekuencës së sulmeve të migrenës. Një studim vëzhgues me qindra pacientë ka treguar se temperaturat e larta mund të rrisin rrezikun e shfaqjes së krizave, ndërsa një tjetër studim më i gjerë ka lidhur edhe lagështinë e lartë dhe ndryshimet e motit me përkeqësimin e dhimbjeve të kokës.

Sipas mjekut, Dr. Joshua Feinstein, nxehtësia mund të rrisë inflamacionin në trup dhe të zgjasë kohëzgjatjen e migrenës. Gjithashtu, dehidratimi gjatë ditëve të nxehta e bën më të vështirë për trupin të përballet me simptomat dhe të rikuperohet. Specialistët rekomandojnë që personat që vuajnë nga migrena të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin ekspozimin e gjatë në diell dhe të ndjekin një trajtim të rregullt nën kujdesin e një mjeku specialist për të menaxhuar më mirë simptomat, veçanërisht gjatë muajve të verës.