Është gjë e mirë që pantallonat e gënjeshtarëve nuk marrin flakë, sepse po të ndodhte, shumica e popullësisë në botë do të digjej në moment.

Njerëzit gënjejnë shumicën e ditëve,” thotë Kevin Colwell, një profesor  i psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Connecticut, i cili ka hulumtuar prej kohësh fenomenin e mashtrimit.

Shumica e tyre janë ato që i quajmë gënjeshtra të bardha të padëmshme e që nuk i bëjnë keq askujt. (Nuk po ju pëlqen modeli i ri i flokëve të një të njohuri, nuk është nevoja t`ja thoni, bëjeni atë të besojë ndryshe). “Gënjeshtra është një aftësi e rëndësishme shoqërore. Ajo i bën marrëdhëniet tona të funksionojnë më mirë,” thotë Colwell.

Megjithatë, gënjeshtrat e dëmshme – ato që janë keqinterpretime të qëllimshme të fakteve materiale – kanjë një efekt të kundërt. Të gënjehesh nga të tjerët mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor të dikujt dhe mund të çojë në një rezultat jo të mirë të vendimeve jetësore, duke çuar deri në shkatërrimin e marrëdhënieve. Kjo është aryesja pse shumë prej nesh ndonjëherë luajmë edhe rolin e dedektivit.

Pra, si mund ta dalloni nëse dikush po ju gënjen?

Çelësi është të hysh në një bisedë pa supozime, thotë Colwell, i cili ka trajnuar oficerë të zbatimi të ligjit dhe hetues të Qendrës Kombëtare kundër Terrorizmit në zbulimin e mashtrimeve.

Mos hyni në bisedë duke supozuar se ju gënjejnë, sepse nëse e bëni këtë, do të ndryshojë mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me ju,” thotë ai. “Duhe të angazhoheni dhe të lidheni me bashkëfolësin në një mënyrë që të lehtësojë bisedën mes dy palëve”.

Nuk do jeni gjithnjë në gjendje të dalloni me siguri, por ja çfarë duhet të shikoni e dëgjoni nëse po përpiqeni të kuptoni se dikush po ju gënjen apo jo.

Me shumë gjasa do të ketë shenja fizike

Për të kuptuar nëse dikush po gënjen, fillimisht duhet të keni disa njohuri bazë të asaj çka është normale për atë person, shpjegon Jim Clemente, një ish-prokuror në Nju Jork dhe agjent special i FBI-së i dalë në pension. Sa më shumë kohë të kaloni me të, aq më të aftë do të jeni për të dalluar ndryshimet në sjellje dhe komunikim. Disa njerëz për shembull, e kanë të vështirë të krijojnë kontakt sy më sy në çdo bisedë, për të tjerët, ky do të jetë një tregues se ka diçka që nuk shkon.

Pasi të kuptoni normat e tyre të sjelljes, kushtojini vëmendje ndryshimeve fiziologjike të shkaktuara nga pyetjet e sikletshme. Dikush që po gënjen mund të fillojë të djersitet ose të bëjë lëvije të vogla në dukje të pakontrolluara. Ndërsa rrahjet e zemrës shtohen, ndodh që t`u thahet pështyma dhe të gëlltiten vazhdimisht. Mund të shihni ndonjë fërkim duarsh, pastrim fyti apo prekje flokësh. Të gjitha këto veprime tentojnë çlirimin e stresit apo tensionit.

Do përsërisin të njëjtën histori pa pushim

Le të themi se papritur pyesni partnerin tuaj se çfarë po bënte të mërkurën në darkë. Pasi të përgjigjet, ju shtoni: “Sa qejf, do doja të kisha qenë atje, më trego më shumë për atë që ndodhi”. Njerëzit që thonë të vërtetën priren të flasin në mënyrë të natyrshme, të rrjedhshme, të pashqetësuar se mund të kapen mat në ndonjë detaj. Kështu që ata ofrojnë detaje të reja, që nuk i kanë përfshirë herën e parë në rrëfim.

Njerëzit që gënjejnë, nga ana tjetër, tregojnë me kujdes. Ata mund të flasin shumë, por do t`ju thonë të njëjtën gjë që jua kanë thënë disa herë tashmë. Ata po sigurohen që të mos kundërshtojnë veten. Nëse po dëgjoni disa herë të njëjtën gjë, vazhdoni të bëni pyetje specifike, sepse shumë shpejt gënjeshtra do të dalë në shesh.

Ata çuditërisht do të jenë kronologjikë

Njerëzit që gënjejnë priren t`i tregojnë historitë në mënyrë kronologjike, në krahasim me ata që janë të vërtetë, të cilët do të shkojnë nga pjesët më të rëndësishme në ato më pak të rëndësishme. Nëse nuk keni asgjë për të fshehur, gjëja e parë që do të mbani mend, është pjesa më e rëndësishme e asaj ngjarjeje dhe më pas pjesa tjetër. Nëse e dini se do gënjeni, keni praktikuar dhe keni një skenar me fillim dhe fund.

Flasin me elokuencë

Çuditërisht, njerëzit shpesh flasin më mirë kur gënjejnë se sa kur thonë të vërtetën. Ata janë më tepër të angazhuar në menaxhimin e përshtypjeve që do lënë tek të tjerët. Kjo mund të nënkuptojë përdorimin e një fjalori më të sofistikuar. Pra, nëse po mrekulloheni me mjeshtërinë e re të gjuhës së bashkëfolësit tuaj, është një tregues që mund të jetë duke gënjyer në ato momente.

U përgjigjen pyetjeve me pyetje

Disa gënjeshtra janë indirekte, njerëzit heqin dorë nga faktet thelbësore të ngjarjes ose shtiren sikur kanë harruar. Në këto raste, ata shpesh do u përgjigje pyetjeve me pyetje, të tipit “pse duhet ta bëja këtë?”. Nëse bëni pyetje po ose jo, kushtojini vëmendje nëse nuk merrni përgjigje të drejtëpërdrejtë. Njerëzit që gënjejnë priren të jenë të paqartë dhe evazivë, duke përdorur fraza si “unë mendoj”, “ndoshta” etj.

Tingullojnë ndryshe

Nëse i kushtojmë vëmendje shenjave verbale jogjuhësore, si toni, ritmi, lartësia e zërit, mund të jenë zbuluese. Njerëzit që thonë të vërtetën zakonisht flasin në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa ata që gënjejnë ka të ngjarë të kenë një normë të thyer me ndryshime në tonin e zërit. Nëse dikush është nën stres, ka gjasa që toni i tyre të rritet shpejt, ritmi ngadalësohet sepse po përpiqen të mendojnë se çfarë do thonë.

Sytë e tyre mund të fshehin sekrete

Ekziston një supozim i zakonshëm që njerëzit që heqin sytë kur flasin, po gënjejnë, megjithatë kërkimet thonë se kjo ndodh edhe kur njeriu po mendon diçka, pra jo domosdoshmërisht lidhet me tregimin e një gënjeshtre. Ka dhe njerëz që po gënjejnë dhe ju shohin drejt e në sy sepse po duan të kuptojnë nëse e hëngrët apo jo. Plus, njerëzit që gënjejnë zakonisht nuk buzëqeshin me sytë e tyre.

Sjelljet e tyre nuk përputhen me situatën

Kur njerëzit janë të vërtetë, sjellja e tyre përputhet me mesazhin që po përcillet. Nëse zbuloni një mospërputhje vizuale-verbale, konsiderojeni flamur të kuq. Kjo mund të nënkuptojë nëse po qesh kur diskutohet një temë serioze. Ndonjëherë emocionet tona i përgënjeshtrojnë fjalët që po themi./TIME