Nuk ka ende një të dhënë publike nga institucionet policore lidhur me numrin apo dhe profilin e “gjobëvënësve”. Ky aktivitet kriminal ka filluar të marrë trajta të mirëfillta të krimit të organizuar. Megjithëse të dhënat janë të pakonfirmuara, vetëm në qytetin e Tiranës mendohet se veprojnë disa grupe të organizuara kriminale, me një numër anëtarësh mbi 20 persona secili.
Këto janë grupe kriminale me veprimtari të larmishme, dhe nuk përqendrohen vetëm te gjobëvënia. Kryesisht kjo tipologji organizate kriminale ka lidhje të forta me elitën politike dhe me biznese të fuqishme. Dhe kjo formë organizate kriminale është ndër më të rrezikshmet, për shkak të njohjeve brenda dhe jashtë vendit, lidhjeve, fuqisë ekonomike dhe organizimit.
Në periudhën 1993-2005, gjobëvënia sundohej dhe dirigjohej nga organizata të njohura kriminale. Mendohet se shumica e bandave të vitit 1997 përdornin të tre tipologjitë e mësipërme të gjobëvënies. Madje forma “simbiotike” ishte e ngjashme me format e përdorura nga Mafia italiane. Racket wshtw termi qw përdoret ku organizatat kriminale u ofron siguri bizneseve të caktuara në shkëmbim të një pagese fikse, sipas marrëveshjes midis palëve.
Gjatë vitit 1997, gjobëvënia ishte e lokalizuar dhe e sunduar nga banda që kontrollonin një territor të caktuar. Gjobëvënia nuk ishte e vetmja veprimtari e tyre, por një ndër veprimtaritë kriminale kryesore.
Pas vitit 2005, shumë nga bandat e mësipërme u goditën dhe gjobëvënia filloi të pakësohet në numër. Por nga ana tjetër, kjo veprimtari kriminale filloi të sofistikohet. Megjithëse nuk janë evidentuar ende, mendohet se në periudhën 2005-2019 janë formuar grupe kriminale që fillojnë dhe “specializohen” në gjobëvënie. Këto grupe zakonisht bëhen të njohur falë drejtuesve e tyre, që spikatin për një “karrierë” të larmishme në fushën e trafikimit të drogës dhe vrasjeve.
Vihet re gjithashtu se ka një prirje në rritje të përdorimit të gjobëvënies ndaj bizneseve të mëdha, por që nuk denoncohet. Kjo ka sjellë integrimin e kriminelëve në fushën e biznesit. Këta përdorin kërcënimin dhe shantazhin për të shmangur konkurrencën ose për t’i marrë aktivitetin tregtar dikujt tjetër, qoftë nëpërmjet “blerjes” me çmime të ulëta ose duke e detyruar biznesin të pastrojë paratë e pista të këtyre organizatave kriminale.
Pas vitit 2005, një tjetër karakteristikë e gjobëvënies, e përdorur gjerësisht, është mashtrimi. Pra, grupet kriminale sillen dhe përdorin skema mashtruese të besueshme për viktimën, p.sh hiqen si oficerë të shërbimeve sekrete kombëtare ose ndërkombëtare. Vihet re gjithashtu se gjobëvënësit kanë një prirje të rritjes së vlerës së gjobës progresive nga kërkesa fillestare në kërkesat e radhës.
Bie në sy gjithashtu një përdorim i zgjeruar i telefonave celularë për kryerjen e shantazheve. Në përgjithësi përdoren “sms”-të me një zhargon shumë të rëndë dhe të mbushur me sharje drejtuar viktimës. Ky i fundit kryesisht kërcënohet me jetën e tij, por edhe të anëtarëve të familjes. Nga ana tjetër, edhe shumat e kërkuara janë shumë më të larta, dhe shkojnë nga 10.000- 200.000 euro. Vërehet gjithashtu një rritje e pjesëmarrjes së femrave në grupet që ushtrojnë gjobëvënien.
Gjobëvëniet “grabitqare”, thënë ndryshe kurth
Një tjetër formë që po ndeshet shpesh është e gjobëvënia që e shtyn viktimën në kurth. Në përgjithësi pre e kësaj veprimtarie kriminale janë tregtarë të fuqishëm. Vërehet që në këtë lloj skeme ka një rritje të përfshirjes së femrave. Grupi ka një plan të caktuar, ku përfshihet studimi i profilit të biznesmenit, mënyra sesi i duhet qasur dhe format e shantazhit. Anëtari femër i grupit luan një rol parësor, pasi shërben si “karrem” dhe krijon mundësinë për të hyrë në kontakt me viktimën.
Më pas “karremi”, nëpërmjet joshjes, krijon marrëdhënie intime me viktimën dhe i dokumenton ato. Pasi sigurohen “provat”, anëtarët e tjerë të grupit kriminal i bëjnë shantazh viktimës, duke i kërkuar shuma të konsiderueshme parash (deri në 100.000 euro) që kjo marrëdhënie të mos bëhet publike. Në një rast gjobëvënie të këtij modeli, në vitin 2012, vihet re se grupi përbëhej nga katër persona të moshës 21 – 24 vjeç. Anëtarët e grupit nuk ishin të gjithë nga i njëjti qytet (dy ishin nga Bulqiza, një nga Kukësi dhe tjetri nga Memaliaj) dhe anëtarja femër ishte me arsim të lartë juridik.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.