Një skandal i paprecedentë i manipulimit mediatik dhe i “lojës me dy porta” ka shpërthyer rreth emrit të futbollistit të klubit norvegjez Molde, Blerton Isufi.
Teksa mediat në Kosovë nxituan të ngrinin alarmin për një “tentativë rrëmbimi” nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe trajnerit Alban Bushi, dokumentet ekskluzive zyrtare të siguruara nga gazetari Endi Tufa i Top Channel, dëshmojnë një realitet krejtësisht ndryshe. Bëhet fjalë për një skenar të turpshëm ku një futbollist i moshave përdor fanellën kuqezi dhe atë dardanë si monedhë shkëmbimi për interesa personale, duke tensionuar artificialisht marrëdhëniet mes dy tifozerive vëllazërore, ndërsa të vërtetën ua fsheh të dyja palëve.
Sulmi publik ndaj Shqipërisë: “I refuzova, dua vetëm Kosovën!”
Pas publikimit të listës së Kombëtares U-21 të Shqipërisë për ndeshjet miqësore, ku emri i Blerton Isufit ishte përfshirë rregullisht, lojtari dha një intervistë për portalet në Kosovë. Ai mohoi kategorikisht se kishte dhënë miratimin për të luajtur med Kuqezinjtë, duke deklaruar me tone “patriotike” se kishte refuzuar Shqipërinë dhe se e vetmja zgjedhje për të mbetej përfaqësuesja e Kosovës. Por, çfarë ndodhte në të vërtetë prapaskenave? Mesazhet dhe e-mailet zyrtare të zbardhura zbulojnë se Isufi po luante një teatër me disa akte. Link
Mesazhi për trajnerin Alban Bushin: “Vdes për Shqipërinë, por s’më lë klubi”
Në të njëjtën kohë kur bënte “patriotin” në mediat e Prishtinës, Blerton Isufi i dërgonte mesazhe private stafit të Shqipërisë U-21, ku betohej për dashuri ndaj ngjyrave kuqezi. Në mesazhin e tij privat, lojtari shkruan tekstualisht:
“Unë kam qenë shumë i gatshëm dhe me shumë dëshirë për të ardhur dhe për të përfaqësuar shtetin tim, Shqipërinë… Për fat të keq, klubi nuk po ma jep lejen, pasi kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme në këtë periudhë. Jam shumë i zhgënjyer nga ky vendim i klubit… Megjithatë, unë jam gjithmonë në dispozicionin tuaj dhe mezi pres herën tjetër për të ardhur.”
Lojtari u tregua “shumë i zgjuar”: Shqipërisë ia la fajin te klubi Molde, ndërsa Kosovës ia shiti sikur e refuzoi Shqipërinë për çështje zemre. Por gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra.

Dokumenti Zyrtar: Molde i thotë “PO” Shqipërisë, lojtari kapet mat!
Ajo që Blerton Isufi nuk e kishte llogaritur, ishte komunikimi i drejtpërdrejtë institucional mes FSHF-së dhe klubit të Molde në Norvegji. Në e-mailin zyrtar që zyrtarja e klubit norvegjez, Tove Berget, i ka dërguar menaxherit të ekipit kombëtar U21 të FSHF-së, Denis Lilo, klubi shprehet plotësisht i lumtur për ftesën.
Në e-mail thuhet qartë:
“Ne jemi të lumtur që Blerton Isufi është përzgjedhur për skuadrën tuaj U-21. Megjithatë, ne kemi një ndeshje të rëndësishme më 30 maj dhe Blerton ndoshta do të jetë në skuadër për këtë ndeshje. Ne do të jemi të lumtur ta lirojmë atë për të udhëtuar të dielën, më 31 maj. Shpresojmë që kjo punon për ju.”

Klubi Molde jo vetëm që nuk ia ndaloi grumbullimin, por u tregua plotësisht i gatshëm ta niste lojtarin drejt Shqipërisë menjëherë pas ndeshjes së datës 30 maj!
Kur shenjtëria e fanellës kthehet në pazar egoje
Në fund të fundit, fanella e një kombëtareje, qoftë ajo kuqezi e Shqipërisë, qoftë ajo dardanë e Kosovës, nuk është thjesht një copë rrobë sportive e radhës. Ajo peshon sa historia, sa lotët, gjakderdhja dhe sakrificat e panumërta të një populli të ndarë padrejtësisht nga kufijtë, por që përmes futbollit ka gjetur gjithmonë urën më të pastër të bashkimit dhe krenarisë.
Është tejet e dhimbshme, madje e turpshme, të shohësh se si kjo ndjenjë e shenjtë kombëtare keqpërdoret sot nga djem të rinj për lojëra të rëndomta egoje, manipulime mediatike dhe interesa të rëndomta karriere. Ndërsa prindërit tanë dikur kanë vuajtur e kanë ëndërruar ditën kur djemtë shqiptarë do të luanin të lirë në fushë nën sytë e mbarë botës, sot disa talente të llastuara e përdorin këtë liri për të gënjyer dy shtete brenda 24 orëve, thjesht për t’u dukur heronj të rremë në rrjetet sociale.
Kombëtarja nuk është pazar, as një mjet për të bërë shantazh e për të rritur vlerën e vetvetes. Mbi të gjitha, vëllazëria e gjakut mes Shqipërisë dhe Kosovës është shumë më e madhe, më e pastër dhe më e shenjtë sesa ambicia e sëmurë e një lojtari që zgjedh të luajë me dy porta. Koha që këta pseudo-patriotë të demaskohen me fakte ka ardhur. Kushdo që nuk e ndjen peshën e kësaj fanelle, bën mirë të qëndrojë larg saj./ Top channel

