Te Portugalia janë të bindur se kishte komplot kundër tyre për t’i eliminuar nga Kupa e Botës dhe për të ndihmuar Argjentinën e Mesit që të fitonte trofeun.

Kjo duket qartë nga fjalët e dy prej figurave kryesore të Portugalisë, Pepe dhe Bruno Fernandes, të cilët rrezikojnë edhe ndëshkime të rënda disiplinore.

Pepe ishte e pari që nisi kritikat kundër gjyqtarit të ndeshjes. Ai nuk ngurroi të fliste hapur kundër kryesorit argjentinas Tejo.

“Me atë që kam parë sot, le t’ia japin Kupën Argjentinës”, tha ai para gazetarëve duke aluduar se vendimet e gjyqtarit ishin për të favorizuar latino-amerikanët, bashkëkombësit e tij.

Më pas, pyetjet thumbuese për gjyqtarin iu bënë edhe Bruno Fernandes dhe ky i fundit iu hakërrye edhe zëdhënësit për shtyp të Federatës Portugeze që po mundohej ta ruante nga përgjigje që mund të sillnin dënim të mesfushorit.

“Mos më prek, do të them atë që duhet të them, Ata pastaj le të shkojnë të q***n”, tha mesfushori para se të shpërthente në akuza ndaj gjyqtarit.

“Më duhet të them që është shumë e çuditshme që kemi një gjyqtar që na drejton nga një vend i cili ka ende përfaqësuesen e tij në garë ndërsa nuk ka gjyqtarë portugezë në Botëror. Minimalisht është e çuditshme. Kemi gjyqtarë të cilët drejtojnë në Ligën e Kampioneve, ndaj kanë nivel për të qenë këtu, ndërsa këta gjyqtarë nuk vërshëllejnë në Ligën e Kampioneve.

Nuk janë të mësuar me këtë lloj loje apo sjellje. Qartësisht ndikuan në fushë. Në pjesën e parë ekziston një penallti e qartë ndaj meje, pa asnjë dyshim, pasi mbetesha vetëm dhe asnjëherë në jetën time nuk do të rrëzohesha, kur isha i vetëm para portierit dhe mund të gjuaja në portë. Është kaq e thjeshtë”, tha Bruno Fernandes i acaruar pas sfidës.