Një nga surprizat më të mëdha të Kupës së Botës ka bindur David Beckham se meriton një shans në krah të yjeve më të mëdhenj të futbollit.
Portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinha, pritet t’i bashkohet Inter Miamit me një transferim pa pagesë, ku do të ndajë dhomën e zhveshjes me Lionel Messin dhe Luis Suarezin.
40-vjeçari u kthye në një nga protagonistët më të komentuar të turneut, falë paraqitjeve të tij të jashtëzakonshme me kombëtaren afrikane. Gjatë Botërorit, ai fitoi miliona ndjekës në rrjetet sociale dhe u shndërrua në një nga figurat më të dashura të kompeticionit.
Sipas mediave spanjolle, veçanërisht AS, David Beckham u impresionua nga paraqitja e Vozinhës në ndeshjen kundër Argjentinës në fazën me eliminim direkt dhe vendosi ta afrojë atë te klubi amerikan.
Kepi i Gjelbër zhvilloi një aventurë historike në këtë Botëror, duke surprizuar me paraqitjet ndaj skuadrave të mëdha. Skuadra afrikane mori rezultate pozitive ndaj Spanjës dhe Uruguait në fazën e grupeve dhe më pas e detyroi Argjentinën të vuante deri në minutat shtesë.
Vozinha u bë një nga simbolet e këtij rrugëtimi. Ai realizoi një numër të madh pritjesh vendimtare, duke mbajtur portën të paprekur ndaj Spanjës dhe duke u shpallur lojtari i ndeshjes. Shumë tifozë menduan se e meritonte edhe çmimin ndaj Argjentinës, por ai iu dha Lionel Messit.
Pas përfundimit të ndeshjes kundër Argjentinës, Vozinha tregoi edhe bisedën emocionuese me yllin argjentinas, i cili tashmë pritet të jetë shoku i tij i skuadrës.
“Shkova te Messi pas ndeshjes. Ai më përqafoi dhe më tha: ‘Je i madh. Njerëzit e tu duhet të jenë krenarë për ty’. Ishte diçka e jashtëzakonshme për mua. Të dëgjosh fjalë të tilla nga dikush si Leo Messi do të thotë shumë”, rrëfeu portieri.
Vozinha tregoi se më pas i kërkoi Messit të shkëmbenin fanellat dhe argjentinasi i premtoi se do t’ia jepte në tunel pas intervistave.
Paraqitjet e tij ishin mbresëlënëse: ai realizoi shtatë pritje ndaj Spanjës dhe tetë ndaj Argjentinës, duke fituar admirimin e tifozëve në mbarë botën.
Pas një karriere të gjatë me nëntë klube të ndryshme, portieri veteran tani është pranë një kapitulli të ri të jashtëzakonshëm: të luajë përkrah Lionel Messit në Inter Miami.



