Futbollisti maroken, Achraf Hakimi, do të dalë në gjyq për një akuzë përdhunimi që dyshohet se ka ndodhur në vitin 2023, një pretendim që ai e ka mohuar vazhdimisht. Kjo është konfirmuar nga një gjykatë apeli në Francë.

Autoritetet franceze kanë deklaruar se, në shkurt të vitit 2023 një 24-vje 24-vjeçare ka denoncuar në polici në rajonin Val-de-Marne, në juglindje të Parisit, se Hakimi e kishte përdhunuar në banesën e tij.

Futbollisti i Paris Saint-Germain dhe kapiteni i kombëtares së Marokut ka deklaruar vazhdimisht se është i pafajshëm dhe ka mirëpritur vendimin për t’u përballur me gjykatën, duke thënë se “ka pritur këtë proces që nga dita e parë”.

Avokatja e tij, Fanny Colin, u shpreh se vendimi nuk nënkupton fajësi dhe se klienti i saj mbetet i bindur në mbrojtjen e tij, ndërsa pala paditëse e ka cilësuar vendimin si një hap drejt “lehtësimit dhe shpresës”.

Sipas deklarimeve të mëparshme, gruaja pretendon se ka takuar futbollistin përmes rrjetit social “Instagram” dhe më pas ka shkuar në banesën e tij, ku dyshohet se është sulmuar seksualisht. Ajo ka deklaruar se ka arritur të largohet dhe të kërkojë ndihmë nga një shoqe.

Data e nisjes së gjyqit ende nuk është përcaktuar, ndërsa çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata penale në rajonin Hauts-de-Seine në Francë.