Teksa vetë presidenti amerikan Donald Trump dhe njerëzit pranë tij kanë ngritur idenë se Italia mund të jetë pjesë e Kupës së Botës 2026, nga gadishulli Apenin vjen një reagim i papritur. Ministri italian i Sportit, Andrea Abodi, ishte i prerë në qëndrimin e tij, duke refuzuar çdo “favor” që FIFA dhe Trump mund ti ofrojnë, duke e bërë pjesë të Botërorit me përjashtimin e Iranit.

“Një mundësi e dytë për Italinë në Botëror nuk është e përshtatshme, kualifikimi duhet të arrihet në fushë.”- tha ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti, i cili e cilësoi idenë si “të turpshme”.

Ideja u propozua nga Paolo Zampolli (i dërguari i Trump në Itali), i cili i kishte kërkuar FIFA-s dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të përfshinte Italinë në vend të Iranit. Reagime të forta nuk munguan nga pala iraniane, teksa ambasada e Iranit në Romë deklaroi se “futbolli i përket njerëzve, jo politikanëve”, duke kritikuar ashpër përpjekjet për përjashtimin e tyre nga turneu.

Pjesëmarrja e Iranit në Botëror është vënë në pikëpyetje për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme, por presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka qenë i qartë: “Irani duhet të marrë pjesë”. Nga ana sportive, Italia mbetet jashtë Botërorit për herë të tretë radhazi, pas eliminimit në “play-off” nga Bosnje Hercegovina. Paraqitja e fundit e “Të kaltërve” në një Kupë Bote daton në vitin 2014.