Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino u ka vendosur një afat deri më 19 shtator të gjitha 211 federatave anëtare për të vendosur nëse do të pranojnë ofertën fillestare për një pagesë prej 20 milionë dollarësh për secilën federatë. Kjo ofertë vjen në një kohë kur UEFA, BE dhe shumë konferderata janë kundër nxjerrjes në shitje të kuotave të turneut të Kupës së Botës te privati, propozuar së fundmi nga FIFA.
Fondet e shpërblimit për secilën federatë do të sigurohen nga kompania e investimeve “Thrive Capital”, në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Lajmi u publikua fillimisht nga ‘The Times’, ndërsa më pas u konfirmua përmes letrës që Infantino u dërgoi federatave. Letra e FIFA-s vjen pas reagimeve të ashpra ndaj projektit. Burime të ESPN bëjnë të ditur se UEFA po shqyrton disa opsione, përfshirë edhe bojkotimin e Kupës së Botës, për shkak të mungesës së konsultimit dhe të transparencës në procesin e vendimmarrjes. UEFA pritet të zhvillojë një mbledhje urgjente online me 55 federatat anëtare, me shumë gjasa gjatë së enjtes.

