Portieri i kombëtares së Kepit të Gjelbër, Vozinha, është pranë një ndryshimi të papritur në karrierë, pavarësisht se Colo-Colo kishte njoftuar më herët transferimin e tij.

Gardiani 40-vjeçar u bë një nga emrat më të përfolur të futbollit këtë verë pas paraqitjeve të jashtëzakonshme me përfaqësuesen e Kepit të Gjelbër, duke udhëhequr ekipin e tij drejt një fushate historike në Kupën e Botës.

Vozinha shkëlqeu me pritjet e tij ndaj skuadrave të mëdha si Spanja, Uruguai dhe Arabia Saudite, ndërsa Kepi i Gjelbër arriti deri në fazën e play-off-it të Botërorit të parë në histori. Kombëtarja afrikane ishte shumë pranë një surprize të madhe edhe ndaj Argjentinës, por u eliminua pas një humbjeje dramatike 3-2 në kohën shtesë.

Paraqitjet e tij fantastike mes shtyllave i siguruan Vozinhas një vend në formacionin e më të mirëve të turneut, përkrah yjeve botërorë si Lionel Messi, Jude Bellingham dhe Kylian Mbappe.

Pas këtij suksesi, klubi kilian Colo-Colo u afrua për ta transferuar si lojtar të lirë pas largimit nga Chaves në qershor. Madje, klubi kishte njoftuar edhe zyrtarisht afrimin e tij.

Por marrëveshja tashmë mund të marrë një kthesë të papritur. Sipas gazetarit Raphael Bozeo, skuadra marokene Berkane po përpiqet të ndërhyjë dhe të sigurojë shërbimet e portierit veteran.

Vozinha ka shtyrë tri herë mbërritjen e tij në Kili, duke rritur pasigurinë rreth transferimit. Ai pritej të mbërrinte fillimisht të martën, më pas udhëtimi u shty për të mërkurën dhe më vonë për të enjten, por portieri nuk u paraqit.

Sipas raportimeve, Berkane është pranë paraqitjes së një oferte zyrtare për Vozhinan, ndërsa klubi maroken thuhet se ka arritur gjithashtu një marrëveshje me trajnerin e Kepit të Gjelbër, Bubista, për të marrë drejtimin e skuadrës.