Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duron dhe Salsano Rrapin. Ai u shfaq mjaft sportiv dhe foli edhe për gjëra jashtë kornizave, duke mos kursyer as shakatë. Gjithashtu dha detaje dhe mbi trajnerin e ri të Kombëtares, Rolando Maran.
Duka u shpreh se me Maran, Shqipëria do të bëjë futboll më të bukur, teksa nuk kurseu shakatë kur u pyet se çfarë kushtesh kishte ai për trajnerin e ri. Duka foli edhe për pagën e trajnerit të ri, duke thënë se paguhet pak më shumë se Sylvinho dhe hedhur poshtë zërat se paga e tij ka qenë sa gjysma e trajnerit brazilian.
“Kam parë ndeshje dhe prononcime të Maran, mentalitetin e tij. Rezultati jo gjithnjë varet nga loja, por për një gjë jam i bindur, se me këtë trajner Shqipëria do të luajë më mirë. Ekipet që ka drejtuar Maran kanë qenë agresive, sulmuese dhe jo ai mentaliteti italian, Ekipi ynë në këtë moment është në gjendje të luajë në sulm dhe të bëjë lojë. Këtë duam të bëjmë ne.
Ka kritere, s’duhet të ketë flokë (qesh). E mira është të jetë pa flokë, si ky që kemi. Por edhe ai që iku ishte me flokë dhe bëri mirë. Trajnerët nëse do t’i ndanim, janë ata që e kanë nisur nga zero dhe janë rritur dhe ata që kanë qenë futbollistë të mirë dhe e kanë nisur nga lart. Ky i yni është versioni i parë. Objektivat i kam bërë të ditura, në Nations League duhet ta mbyllim në vendin e parë dhe të kualifikohemi në Euro 2028. Kur kërkon trajner, të vijnë vetë propozimet dhe bën një listë të shkurtër. Një nga ata ka qenë edhe trajneri që kemi emëruar. Nuk e njihja, e kam takuar vetëm dy herë para emërimit. Trajnerët shqiptarë nuk kemi përjashtuar, por kemi zgjedhur të marrim më shumë eksperiencë nga shkolla më të mira të futbollit.
Paga e Maran është e njëjtë me Sylvinhon, mbase ndonjë përqindje më shumë. Ka shumë abuzime për pagat, asnjëri prej të dyve nuk ka marrë më shumë se 1 milion euro”, tha Duka mes të tjerash.


