Futbollisti me origjinë shqiptare i AEK-ut, Lazaros Rota, në prag të festës së madhe të titullit kampion, ka lënë mënjanë euforinë e suksesit për të përcjellë një mesazh tronditës.

Ai ka folur hapur për ata që vuajnë në heshtje, duke u nisur nga ngjarja tragjike që tronditi opinionin publik: vetëvrasja e dy vajzave 17-vjeçare në Ilioupoli të Greqisë.

Pasi përfundoi prononcimin e tij për “AEK TV” lidhur me shpalljen kampion, mbrojtësi me prindër nga Devolli u ndal te kjo plagë sociale, duke dërguar një apel mjaft prekës: “Jetojmë në një kohë kur sheh njerëz që mendon se janë të lumtur, pa e kuptuar askush se çfarë po ndodh realisht brenda tyre. Po flas këtu për vetëvrasjet e fundit të vajzave të reja”.

Futbollisti vuri në dukje presionin e madh psikologjik që kalon shoqëria moderne, ku njerëzit shpesh fshehin dhimbjen për t’u dukur të fortë përpara të tjerëve.

“Bota sot është e thyer dhe e rraskapitur nga përpjekjet për të treguar se çdo gjë shkon mirë. Ndoshta, kur e pyesim dikë ‘A je mirë?’, duhet ta themi me interes të vërtetë e me zemër. Në këtë mënyrë, personi përballë nuk do të ndihet si një barrë, por do të kuptojë se dikush interesohet sinqerisht për të. Një pyetje e tillë, një bisedë apo një përqafim mund të jetë arsyeja e fortë që shpëton një jetë”, tha ai.

Në mbyllje të deklaratës së tij, që ka bërë xhiron e mediave, Rota bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për të gjithë ata të rinj dhe njerëz që po kalojnë momente të errëta në jetën e tyre: “Dua t’u drejtohem të gjithë atyre që po luftojnë fort me veten e tyre: Ju lutem, mos merrni një vendim që është i përhershëm dhe i pakthyeshëm, për një dhimbje e cila është e përkohshme dhe mund të kapërcehet!”. / Top Channel/