Një incident i pazakontë dhe i frikshëm është regjistruar në stadiumin “Nagyerdei” në Debrecen, gjatë një ndeshjeje miqësore ndërkombëtare mes Hungarisë dhe Kazakistanit
Një spidercam, kamera e varur mbi fushë me kabllo për të kapur pamje nga ajri, është përfshirë nga flakët gjatë zhvillimit të lojës, duke shkaktuar panik në stadium.
Sipas pamjeve të publikuara, disa tifozë vunë re fillimisht tym që dilte nga pajisja e vendosur mbi fushë, ndërsa pak sekonda më vonë kamera u shkëput nga kabllot dhe filloi të binte me shpejtësi drejt terrenit të lojës.
Pajisja ra nga një lartësi prej mbi 20 metrash dhe përfundoi vetëm pak centimetra larg një kameramani që ndodhej pranë vijës anësore.
Pavarësisht momentit dramatik, operatori i kamerës reagoi me profesionalizëm, duke u tërhequr disa hapa mbrapa, por pa ndërprerë punën për të regjistruar ngjarjen.
Disa tifozë në rrjet e kanë krahasuar incidentin me skena filmash aksion, duke komentuar se “kameramani ka shpëtuar si me fat në Final Destination”.
Fatmirësisht, nuk u raportuan të lënduar, ndërsa ndeshja u ndërpre për pak minuta për të larguar mbetjet nga fusha dhe më pas vazhdoi normalisht.



