Anglia është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026, pasi triumfoi me rezultatin 3-2 ndaj bashkë organizatores Meksikë në një ndeshje spektakolare të zhvilluar në stadiumin legjendar “Azteca”.

Takimi nisi me një orë vonesë, ndërsa vendasit krijuan rastin e parë të madh me Raul Jimenez, por Jordan Pickford reagoi në mënyrë fantastike. Në anën tjetër, Anthony Gordon testoi portierin Raul Rangel, por pa sukses.

“Tre Luanët” goditën fort në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 36-të, Jude Bellingham shfrytëzoi një krosim perfekt të Bukayo Saka për të kaluar Anglinë në avantazh, ndërsa vetëm dy minuta më vonë realizoi dopietën pas asistit të Harry Kane, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Meksika reagoi para pushimit. Julian Quinones ngushtoi shifrat në 2-1, duke rikthyer shpresat e tifozëve vendas.

Edhe pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë. Nico O’Reilly goditi shtyllën për Anglinë, por pak më vonë skuadra e Thomas Tuchel mbeti me 10 lojtarë, pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it.

Megjithatë, pavarësisht inferioritetit numerik, Anglia rivendosi diferencën prej dy golash në minutën e 60-të. Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi Anthony Gordon u pengua në zonë nga Raul Rangel.

Drama nuk kishte përfunduar. Edhe Meksika fitoi një penallti pas ndërhyrjes së VAR-it dhe Raul Jimenez realizoi për 3-2, duke i dhënë emocione të forta minutave të fundit.

Vendasit ushtruan presion të vazhdueshëm në kërkim të barazimit, por mbrojtja angleze rezistoi deri në vërshëllimën e fundit, duke siguruar një fitore të vuajtur dhe kualifikimin në mesin e tetë skuadrave më të mira të Botërorit.

Në çerekfinale, Anglia do të përballet me Norvegjinë, ndërsa aventura e Meksikës përfundon në fazën e 1/8-ave, duke i dhënë fund edhe serisë prej 12 ndeshjesh pa humbje.