Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka deklaruar se nuk do të vendosë për të ardhmen e tij me kombëtaren deri në përfundim të Kupës së Botës, duke theksuar se aktualisht fokusi i vetëm është turneu.

41-vjeçari kontribuoi në kualifikimin e Portugalisë në fazën e 1/8 së finales, pasi shënoi nga pika e bardhë në fitoren 2-1 ndaj Kroacisë të enjten në Toronto.

I pyetur për raportimet në mediat portugeze se mund të tërhiqet nga kombëtarja pas këtij Botërori, sulmuesi i Al Nassr u shpreh se vendimi do të merret vetëm pasi të përfundojë turneu.

“E ardhmja nuk është e rëndësishme tani. Do të flas për këtë më vonë. Pas përfundimit të turneut, qoftë me fitore apo humbje, do të bisedoj me familjen dhe më pas do të marr një vendim. Nuk marr më vendime të nxituara, tani çdo gjë e analizoj me qetësi. Për momentin dua vetëm të shijoj këtë ditë”, tha Ronaldo për Sport TV.

Ronaldo mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit të kombëtareve, me 146 gola në 232 paraqitje për Portugalinë, që nga debutimi i tij në vitin 2003.

Ky është Botërori i gjashtë në karrierën e tij, ndërsa objektivi i madh mbetet fitimi i trofeut të vetëm madhor që ende mungon në koleksionin e tij.

Kapiteni portugez u zëvendësua në minutën e 81-të dhe ndoqi me ankth minutat e fundit nga stoli, ku Gonçalo Ramos realizoi golin e fitores në minutën e katërt shtesë. Kroacia shënoi në fund, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

“Futbolli është i tillë. Për të fituar një kompeticion të këtij niveli duhet të mësosh të vuash. Ishte një ndeshje shumë emocionuese për tifozët. E kontrolluam mirë pjesën e parë, ndërsa e dyta ishte më kaotike. Patëm vështirësi, por kjo është natyra e garës – duhet të vazhdosh përpara”, përfundoi Ronaldo.