Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka publikuar formacionin zyrtar për sfidën e sotme ndaj Sllovenisë, e cila luhet në stadiumin “Stožice” të Ljubjanës, duke nisur nga ora 20:45 dhe do të trasmetohet në Digitalb.
Kjo është ndeshja e parafundit në Grupin B të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, ku Kosovës i mjafton një pikë për të siguruar vendin e dytë dhe kualifikimin në ‘play-off’. Tekniku gjerman ka zgjedhur sërish skemën 3-5-2, e cila në prapavijë shndërrohet në 5-3-2, duke kryer disa ndryshime të rëndësishme krahasuar me takimin e kaluar.
Në portë starton Amir Shaipi, që merr vendin e Arijanet Muriçit, i cili mungon për shkak të pezullimit. Mbrojtja përbëhet nga kapiteni Amir Rrahmani, i rikthyer pas dëmtimit, së bashku me Albian Hajdarin dhe Lumbardh Dellovën. Në krahët e formacionit do të operojnë Mërgim Vojvoda në të djathtë dhe Dion Gallapeni në të majtë.
Në qendër të mesfushës luajnë Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija, të cilët do të kenë detyrën të kontrollojnë ritmin dhe qarkullimin e topit. Sulmi nis me Vedat Muriqin dhe Fisnik Asllanin, ndërsa Milot Rashica dhe Edon Zhegrova priten të aktivizohen gjatë pjesës së dytë për të shtuar freski dhe kreativitet.
Nga ana tjetër, Sllovenia zbret në fushë me portierin Jan Oblak dhe titullarë si Elšnik, Šporar dhe Vipotnik, duke e bërë ndeshjen të rëndësishme për të dyja kombëtaret. Takimi do të gjykohet nga francezi Clement Turpin.
Rezultati live:
Slloveni 0-1 Kosovë
Asllani 6′
Komenti live:
6′ Goool Kosova 0-1/ Fisnik Asllani lëviz bukur në zonë dhe me të djathtën ndëshkon vendasit. (Video)
1′ Nis sfida!



