Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës arriti një fitore shumë të rëndësishme ditën e djeshme ndaj Iranit, duke u kualifikuar për fazën e eliminatoreve të Kupës së Botës “Katar 2022”.
Tifozi i parë që nuk mundi të frenonte emocionet e tij të martën, ishte vetë presidenti amerikan Joe Biden, i cili u shpreh i lumtur triumfin e skuadrës.
Presidenti Biden ndodhej në një takim zyrtar në një fabrikë teknologjike në Miçigan dhe, sapo mbaroi ndeshja, ai shfrytëzoi rastin për t’i thënë audiencës së tij se SHBA-të kishin mundur Iranin 1-0 për të kaluar në raundin e 16-të si ekipi i vendit të dytë në Grupin B.
“SHBA 1, Iran 0, loja mbaroi!”, tha Presidenti duke bërtitur : “SHBA! SHBA!”
Ai zbuloi edhe bisedën që kishte zhvilluar me lojtarët dhe trajnerin para nisjes së ndeshjes.
“Kur fola me trajnerin dhe lojtarët, thashë: ‘Ju mund ta bëni këtë”. Ata thanë ‘ehhhh’. Ata e bënë, Zoti i do ata.’”, tha presidenti,
Kombëtarja e meshkujve ka kaluar në fazën eliminatore të pesë nga nëntë Kupat e Botës së fundit, por ka kaluar vetëm një herë në raundin e 16-të, në vitin 2002. SHBA do të përpiqet të vazhdojë turneun të shtunën kundër Holandës.