Prokuroria e Posaçme ka kërkuar ditën e djeshme heqjen e mandatit të deputetit për Arben Ahmetajn dhe arrestimin e tij, për një sërë akuzash.
Ky lajm duket se ka tërhequr dhe vëmendjen e mediave përtej Atlantikut, teksa “The Washington Post” i ka kushtuar një artikull. Media amerikane raporton se ish-ministri i Financave Ahmetaj akuzohet për korrupsion, mosdeklarim të pasurisë dhe vepra të tjera penale.
Më tej thuhet se “Ahmetaj, 54 vjeç, ishte zëvendëskryeministër dhe gjithashtu shërbeu si ministër i Financave dhe Ekonomisë në dy kabinete të mëparshme të kryeministrit socialist Edi Rama”.
“Ahmetaj po hetohet gjithashtu për kontrata koncesionare për menaxhimin e mbetjeve publike, një shqetësim serioz për qeveritë e Shqipërisë dhe një prioritet kryesor në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Një tjetër ish dhe disa zyrtarë aktualë, së bashku me dy biznesmenë, janë në gjyq për të njëjtat kontrata”-, thuhet më tej në artikull.
Sipas “The Washington Post”, nëse do të gjykohej dhe dënohej, Ahmetaj mund të dënohet me 12 vite burg.
“Korrupsioni ka pllakosur prej kohësh tranzicionin e Shqipërisë drejt demokracisë. Një reformë gjyqësore, e miratuar në vitin 2016 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, krijoi institucione të reja që synojnë të trajtojnë korrupsionin. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar për korrupsion të dyshuar dhe fitim të paligjshëm të pronave dhe parave.”– mbyllet artikulli.