Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka transferuar në paraburgimin e Durrësit, kryebashkiakun e zgjehdur të Himarës Fredi Belerin.
Beleri mbahej i izoluar në ambientet e spitalit të burgut në Tiranë për shkak se kishte shfaqur probleme shëndetësore. Së bashku me të është transferuar në të njëjtin vend edhe ish-kryebashkiaku i bashkisë së Bulqizëz, Lefter Alla.
Por në paraburgimin e Durrësit, Beleri dhe Alla nuk janë të vetmit emra të njohur. Pikërisht në këtë institucion izolimi, ndodhen në paraburgim edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako, të akuzuar për aferën e inceneratorëve dhe Arben Dervishi, zv.president i FSHF-së, administrator i njërës prej kompanive të punimeve në inceneratorin e Fierit.
Po ashtu, ata i presin dhe dy ish-kolegë të tjerë, ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici dhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Beleri u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve të 14 majit me akuzën e korrupsionit në zgjedhje, ndërsa Lefter Alla u arrestua marsin e kaluar me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera për ndërtimin e një ujesjellësi në bashkinë Bulqizë.