Ditën e sotme po mbahet seanca në komisionin e Etikës për përjashtimin e 6 deputetëve të opozitës, Edmond Spaho, Elda Hoti, Sorina Koti, Oerd Bylykbashi, Lindita Metaliaj dhe Greta Bardeli për shkelje të etikës gjatë seancës plenare të 16 shkurtit.

Mbledhja është zhvilluar në mungesë të mediave, ndërsa deputeti demokrat Edmond Spaho ka hapur kamerën e telefonit të tij duke zbardhur debatet në komisionin e drejtuar nga deputetja e PS, Klotilda Bushka.

Spaho ka këmbëngulur në revoltën e tij, duke thënë se po bëhet grusht shteti ndaj do të bëjë zhurmë e do të hyjë në Kuvend sa herë të dojë dhe madje,  do guxojë të thyejë dhe karrige për shkak se kanë refuzuar ngritjen e Komisionit Hetimor për çështjen McGonigal.

“Sjellja ime është si rrjedhojë e grushtit të shtetit që ka bërë kryeministri. Do bëj zhurmë, do i bie bilbilit, do thyej edhe karrige se të drejtat kushtetuese janë më të rëndësishme se figura etike. Do pranoj të shkel mbi etikën time për të mbrojtur një çështje më të madhe që është e gjithë shqiptarëve. Jeni kryetare e Komisionit të Ligjeve dhe e Drejtave. Doni të shkatërroni opozitën. Ju duhet të flisni seriozisht. Unë po të shpjegoj sjelljen time. Ju po merrni masë për mua, po më përjashtoni 20 ditë që nuk ka ndodhur kurrë. Unë kërkoj ngritjen e Komisionit Hetimor, janë paguar para për të eliminuar opozitën. Firmat i keni, s’doni t’i thërrisni ju ata deputetë. Po shkel Kushtetutën me të dyja këmbët duke u bërë kukull e Edi Ramës.”- tha Spaho.