Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi ditën e sotme një mbledhje me kryesinë e Partinë Demokratike, duke dhënë udhëzimet për përgatitjet në lidhje me zgjedhjet lokale.

Berisha i kërkoi demokratëve të nisin organizimin për vitin e ardhshëm elektoral, teksa u shpreh se të gjithë anëtarët duhet të zbresin në seksionet e PD, të nisin takimet dhe të bëjnë bilancet.

Berisha shtoi se do nisë ndarja e punës për çdo seksion ndërsa nënvizoi se nuk duhet t’u mohohet anëtarëve të së njëjtës familje të bëhen pjesë e të njëjtit aksion.

“Jemi në betejë që kemi të gjithë potencialin për ta fituar. Ndaj dhe duhet të organizohemi në çdo qelizë. Ky organizim është përcaktues sot për betejën elektorale. Ne hyjmë në betejë, dhe suksesi i saj do përcaktohet nga organizimi ynë në nivel seksioni, nga njohuritë që duhet të kemi mbi funksionalitetin e çdo seksioni.

Çdo seksion është një qendër votimi. Kjo do të thotë se secili prej jush, çdo anëtar i kryesive tuaja ka një vend kryesor dhe ai vend është te seksioni. Të zbresim te seksioni të gjithë. Të takohemi, të bëjmë bilance, të riorganizohemi aty ku nuk jemi. Të shkëputemi nga çdo lloj fiktiviteti. Me këtë mund të kompensojmë dhe të përballemi me regjimin. Kandidatët i kemi të zgjedhur në mënyrën më demokratike. Kundërshtari është i tmerruar nga kandidatët tanë dhe procedurat që kemi ndjekur. Por këto nuk mjaftojnë. Duhet organizim i fuqishëm. E kemi diskutuar shumë herë këtë çështje. Do e diskutojmë gjithnjë ndaj dhe fillohet menjëherë me ndarje pune për çdo seksion, të deleguarin, verifikimin, fiktivitetin, realitetin, zgjerimin, hapjen.

Ne nuk mund t’i mohojmë një demokrati që familjarët e tyre të jenë anëtarë të PD. Nuk mund të lejojmë që seksioni të jetë vetëm një familje apo dy familje. Çdo familjar është i mirëpritur të jetë në PD. Në këtë mënyrë unë gjykoj se ndeshjen e fuqishme në këto zgjedhje do e fitojmë. Por ne kemi edhe betejën me Edi Ramën për t’i dhënë atij mësimin që meriton për përpjekjen që bën për të zhdukur Partinë Demokratike përmes pazareve të një grushti personash të marrë peng që nuk kanë ligj as moral”, deklaroi Berisha.