E ftuar sot në emisionin “Wake Up” ishte ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila ka sqaruar postimin që ajo bëri pak ditë më parë në rrjetet sociale.
Në postimin në fjalë, Kumbaro njoftonte se pas orës 19:00 shezlongët do ishin falas. Por në fakt nuk qenka ashtu, pasi ajo u shpreh se nuk ka bërë një njoftim të tillë në rrjetet sociale. Sipas saj, e gjitha ishte një fotomontazh.
“Ky është një fotomontazh që nuk ka ekzistuar kurrë, që nuk e kam postuar kurrë, që nuk e kam thënë kurrë dhe më vjen shumë keq të marrim kohë dhe hapësirë për t’u marrë me një shpifje të radhës. Shumë faleminderit që ma dhatë këtë mundësi, unë thjesht e injorova në fundjavën kur qarkulloi. Është thjesht një montazh i rremë që nuk ka ekzistuar kurrë”, tha Kumbaro.
Ministrja shtoi se ‘fotografi që shohim është marrë nga faqja ime e “Instagram”-it, nuk është fare e Himarës”.
“Është plazh publik në Sarandë, Bashkia e Sarandës gjej mundësinë ta falënderoj dhe një herë, ishte e para që nisi modelin e një plazhi publik, të organizuar nga bashkia me çadra e shezlonge të vendosura nga bashkia, pa pagesë për pushuesit të cilët duan të rinë në një plazh publik dhe jo në një plazh të menaxhuar”, sqaroi ministrja Kumbaro.